Finalja e Champions League midis Chelsea dhe Manchester City nuk do të mbahet në Stamboll sikurse ishte parashikuar.
Për herë të dytë radhazi, për shkak të pandemisë së COVID-19, finalja e Champions League është zhvendosur, këtë radhë në Portugali.
Ndeshja do të zhvillohet më 29 maj me 6 mijë tifozë nga secili klub.
Portugalia është në listën e gjelbër të Anglisë, kështu që lojtarët dhe tifozët mund të marrin pjesë pa pasur nevojë për karantinë gjatë kthimit në shtëpi. Ndërsa Turqia është në listën e kuqe.
“Të privosh mundësinë e tifozëve për të parë ndeshjen personalisht nuk ishte një opsion dhe unë jam i kënaqur që ky kompromis është gjetur.”– tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, citon BBC Sport.
Të dy ekipet, Chelsea dhe Manchester City thonë se janë në diskutime me UEFA-n dhe aktorë të tjerë të interesuar rreth biletave dhe rregullimeve të udhëtimit.
Shitja e biletave për publikun e gjerë do të fillojë në 24 maj 2021.