Në intervistën e dhënë për gazetën “Financial Times” , kryeministri Edi Rama ka folur edhe për akuzat e opozitës por edhe të presidentit Ilir Meta, për parregullsi në procesin zgjedhor.
Ai iu përgjigj pyetjes së gazetares, se kush nuk di çfarë të bëjë me lirinë e shprehjes, ankohet për mungesë lirie.
“Ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e fjalës ankohen për mungesë lirie.”- tha Rama.
Rama tha se ishte refuzimi për t’u përfshirë në institucionet politike arsyeja për performancën e dobët të Partisë Demokratike dhe LSI-së. PD-ja sipas tij përmirësoi pjesën e saj të votave në kurriz të LSI.
“Opozita ka humbur betejën e saj të pestë radhazi – tre zgjedhje të përgjithshme dhe dy lokale – sepse ata kurrë nuk kanë qenë humbës të mirë. Nëse je një humbës i keq, nuk mund të fitosh.”– shton Rama.
“Shumë votues menduan se është e papranueshme për opozitën të luftojë për demokraci, vlera dhe tregje të hapura ndërsa në të njëjtën kohë nuk merr pjesë në zgjedhje.”– tha Gentiola Madhi, një bashkëpunëtor kërkimor në OBC Transeuropa.
Rama tha se ai tani ishte më i përqendruar në zbatimin e një plani zhvillimi prej 10 miliardë eurosh me një fokus në turizëm. Kjo do të përfshijë një projekt të autostradës bregdetare dhe një port turistik prej 2 miliardë eurosh në qytetin e Durrësit.