Një ish-ambasadore është emëruar si gruaja e parë që drejton shërbimet sekrete të Italisë.
Kryeministri Mario Draghi njoftoi të mërkurënse e përzgjedhura e tij në krye të Departamentit të Sigurisë së Informacionit ishte Elisabetta Belloni.
Departamenti mbikëqyr shërbimet e huaja dhe të brendshme të inteligjencës së vendit dhe i raporton drejtpërdrejt qeverisë italiane.
Zonja Belloni, e cila është 63 vjeç, ka një karrierë të gjatë të gjërave të cilat ajo i bën për herë të parë. Emërimi i saj u mirëprit nga politikanët italianë, përfshirë kreun e partisë së Lidhjes Matteo Salvini, i cili e përshkroi atë si “një grua me guxim”.
E lindur në vitin 1958, zonja Belloni u bë një nga vajzat e para që iu bashkua Institutit prestigjioz, që dikur ishte vetëm për meshkujt, Massimiliano Massimo në Romë. Ky është Instituti ku dhe kryeministri Draghi studioi.
Pasi shërbeu si diplomate në Vjenë dhe Bratislavë, ajo drejtoi dhe njësinë e krizës të ministrisë së jashtme italiane nga viti 2004 në 2008-ën – hera e parë që një grua e kishte mbajtur këtë rol.
Gjatë kësaj kohe, asaj iu desh të merrej me shtetas italianë të vrarë ose të plagosur jashtë vendit, duke përfshirë rrëmbime në Afganistan dhe Irak dhe të mbikëqyrte operacionet e shpëtimit për italianët e prekur nga cunami shkatërrues i Oqeanit Indian të vitit 2004.
Zonja Belloni u ngjit në detyrë për t’u bërë gruaja e parë në rolin e Sekretares së Përgjithshme të ministrisë së jashtme – posti më i lartë diplomatik i Italisë, dhe një pozicion që ajo e ka mbajtur që nga ajo kohë.
Si pjesë e punës mbi çështjet e inteligjencës dhe të sigurisë së huaj dhe të brendshme, Shërbimi Sekret i Italisë merret gjithashtu me kundër-spiunazhin dhe sigurinë kibernetike.