Në ditën e Fitër Bajramit, kreu i Kadastrës Artan Lame i ka dorëzuar lejen e legalizimit “Xhamisë së Madhe” në qytetin e Lushnjës.
Xhamia kryesore e Lushnjës e ndërtuar në vitin 1938 dhe e rindërtuar në vitet ’90-të, nuk ka pasur një certifikatë pronësie deri më sot.
Gjatë një prononcimi për mediet, Lame ka hedhur batuta duke u shprehur se është me dy pleq dhe nëse nuk plotëson normën i bërtet Rama, kurse po e plotësoi i bërtet Basha.
“Unë i shkreti me dy pleq, kujt tia prish dhe kujt tia ndreq! Po të mos plotësoj normën më bërtet Edi Rama, po ta plotësoj më bërtet Lul Basha”-tha Lame.
Ai është shprehur se kjo është hera e parë që një institucion denoncohet se pse ka bërë detyrën e vet, duke iu referuar akuzave të opozitës për legalizimet e bëra në muajin e fushatës zgjedhore.
“Ne e kishim përgatitur që përpara zgjedhjeve por në atë batërdinë e atyre ditëve që u sulmuam nga këdo, thamë më mirë e lëmë për më pas. Dhe ndaj zgjodhëm këtë ditë. Ne po sot i kemi dhënë lejen e legalizimit edhe një objekti kulti tjetër në Kavajë.
Deri tani nga ana e PD të paktën mbi 20 raste janë të denoncimeve në prokurori për institucionin e Kadatrës për periudhën e fushatës zgjedhore. Duhet të jetë hera e para në histori që një institucion denoncohet se bën punën e tij.”– është shprehur Lame.
I pranishëm në dorëzimin e vendimit të legalizimit për xhaminë ka qenë edhe kryetari i bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe.