Analisti Fatos Lubonja tha mbrëmjen e sotme se asnjëherë më parë drejtësia dhe policia nuk kanë qenë të kapura nga një parti.
Ai ishte pjesë e emisionit Real Story në News24, ku deklaroi se çështja e partonazhistëve është një krim i madh ndërkohë që këtu duket sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Sipas tij, çështja e Elbasanit dhe ajo e patronazhistëve do kishin mjaftuar si fakte për t’u përsëritur zgjedhjet.
Lubonja tha gjithashtu se shteti është bërë një me krimin, ka kapur drejtësinë dhe i ka përdorur bashkë me patronazhistët për të blerë zgjedhjet.
“E kanë pyetur Primo Levin si u bë holokausti. Është përgjigjur ‘duke bërë sikur s’ka ndodhur asgjë njerëzit’. Kështu erdhi. Unë mendoj që kemi shumë kohë që bëjmë sikur nuk ndodh asgjë këtu në këtë vend ku krimi lulëzon, bashkëpunon me politikën, hyn në parlament, tani ndihmohet dhe nga policia. Ajo që ndodhi në Elbasan ishte metaforë e një partie që ka kapur policinë, ka kapur drejtësinë, ka kapur krimin dhe i përdor këto për të grabitur vota. Ajo që ka ndodhur me patronazhistët është po ashtu një krim shumë i madh dhe çudia që kam unë është që bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ai na ka përdorur shtetin, na ka marrë të dhënat që gjithë bota do kishte ulëritur, vetëm këtu tek ne nuk ndodh asgjë. Unë mendoj që vetëm këto dy fakte, Elbasani dhe patronazhistët të cilëve, të dyve çuditërisht kryeministri ynë iu çoi mesazhin unë jam krenar për ju para zgjedhjeve, që ajo partia që e ka bërë, po të kishim vend normal, nëse do përdorja një metaforë futbollistike, duhet të dilte në kategorinë e dytë jo vetëm që duhet të ishin përsëritur zgjedhjet, por kjo parti nuk do të ishte lejuar fare të futej në zgjedhje.” – tha Lubonja.