Vendosni fjalën kyçe....

Alizoti: KQZ-ja s’mund të mohojë provat për masakrën elektorale të 25 prillit, zgjedhjet s’mund të njihen


Partia Demokratike i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të lejojë transparencën e asaj që ka ndodhur në zgjedhjet e 25 prillit në Qarkun e Beratit.

Në një deklaratë nga selia blu, drejtuesi politik në këtë qark Tomor Alizoti tha se në zgjedhjet e 25 prillit u përfshinë krimi i organizuar, aparati shtetëror, blerja masive e votës dhe punësimi sezonal. Alizoti tha se në Berat, PS-ja përveç elementëve të lartpërmendur kishte përdorur edhe fondin për tërmetin e po kështu kërcënoi njerëzit me largim nga puna.

“Të zgjedhësh do të thotë, të jesh i lirë dhe të jesh i lirë, do të thotë të jesh i pavarur. Zgjedhjet e 25 prillit nuk plotësuan asnjë kusht për të qenë zgjedhje. Në këto zgjedhje u përfshinë; krimi i organizuar, aparati shtetëror, blerja masive e votës, punësimi sezonal. Përveç blerjes së votës në mënyrë masive, PS në Këshillin e saj bashkiak vendosi të përdorte edhe fondin që ishte caktuar për tërmetin. Punësoi njerëz dhe kërcënoi njerëz me përjashtime nga puna. Madje, nga përvoja personale në terren, kapja e fugonit, pas shumë lajmërimesh, pas shumë shpërndarjesh oparash dhe ndihmash në terren, arritëm ta shikonim me sytë tanë, shpërndahjen e ndihmave, të rezervave të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë, thjesht për të devijuar vullnetin e popullit shqiptar, për të devijuar vullnetin e votuesve të Beratit.” – tha Alizoti.

Ai shtoi se KQZ-ja duhet të vlerësojë provat e dorëzuara nga PD e LSI për manipulimin e votës në këtë qark në të gjitha format e nëse dështon atëherë nuk mund të jetë gjyqtare e zgjedhjeve të 25 prillit. Alizoti theksoi se zgjedhjet nuk duhen njohur e nuk do njihen.

“Po ashtu është për t’u habitur dhe për t’u çuditur që mandati i LSI-së u nda vetëm për 77 vota, ndërsa 5292 vota u shpallën të pavlefshme. 83 mijë vota u shpallën të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë. 83 mijë njerëz në shoqërinë shqiptare u mohuan. Vota e tyre, e drejta e tyre për të votuar, nuk u mor në bazë. KQZ-ja e cila është përgjegjësja, nuk ka asnjë të drejtë të mohojë këto fakte të prekura, të para në terren, të dokumentuara, të provuara. Atëherë, kjo tregon që është pjesë dhe palë dhe kurrësesi nuk mund të jetë arbitër i këtyre zgjedhjeve, derisa ajo bëhet palë. Zgjedhje më 25 prill nuk pati. Zgjedhjet nuk duhen njohur dhe nuk do të njihen.” – shtoi demokrati.

Në fund, drejtuesi politik e deputeti i zgjedhur në Berat tha se 25 prilli ishte masakër e fuqishme e vullnetit të popullit pasi demokracia është votë e lirë, liri e drejtësi.

“Kjo ishte një masakër e fuqishme, jo elektorale, por të vullnetit të një populli i cili dëshiron dhe ëndërron të jetë pjesë e BE-së, të bashkimit më të qytetëruar në botë, ku në të posedohet drejtësia, liria për të vendosur, demokracia. Demokracia është votë e lirë, individ i pavarur, liri dhe drejtësi.” – mbylli deklaratën Alizoti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *