Ish-presidenti Bujar Nishani i cili është njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së ka bërë një deklaratë të fortë, se do të heqë dorë nga politika në rast se ndryshohet rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit pas ankesave të Partisë Demokratike.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku, Nishani tha gjithashtu se do t’i kërkonte falje Lulzim Bashës në rast se një gjë e tillë do ndodhte.
“Nëse pas ankesave të PD-së merret vendimi të ndryshojë rezultati i zgjedhjeve në favor të PD unë do largohem përfundimisht nga aktiviteti politik. Do t’i kërkoj falje Lulzim Bashës, nuk do flas kurrë më publikisht dhe do merrem vetem me jetën time private, por jo më atë publike. Nuk do flas më.”- tha Nishani.
Ish-presidenti e konsideron përpjekjen e kryedemokratit Lulzim Basha për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve si një përpjekje për të mbrojtur veten e tij.