Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2019 është 23,0 %, duke pësuar një rënie prej 0,4 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018 dhe 0.7 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2017.
Në vitin 2019 janë vlerësuar rreth 659.000 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qënë të varfër, kundrejt rreth 671.000 individë të vlerësuar në vitin 2018. Kjo tregon se niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare të disponueshme është rritur dhe numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 1,8 %.
INSTAT ka publikuar rezultatet e vitit 2019 të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare.
Treguesit e varfërisë në anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, bazohen në konceptin relativ të varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtarëve në familje (madhësinë e familjes) dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.
Ndër katër më të varfrit e Europës
Krahasimi i rrezikut për të qenë i varfër për vitin 2019, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Evropian, sipas INSTAT, tregojnë se: Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Mal të Zi (24,5%), Rumani (23,8 %), Serbi (23,2%) ndjekur nga Shqipëria (23,0%). Vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke (10,1 %), Finlandë (11,6 %), Sllovakia (11,9%), Sllovenia (12,0%) dhe Hungaria (12,3%). Mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian (28 shtete) është 16,8 %.
Kufiri i rrezikut të varfërisë
Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2019 është vlerësuar me 170.785 lekë, në krahasim me 160.742 Lekë që ishte në vitin 2018 dhe 145.017 lekë që ishte në vitin 2017.
Shkalla e thelluar e privimit material tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material. Ky tregues është vlerësuar 37,1 % në vitin 2019, kundrejt 38,3 % vlerësuar në vitin 2018, duke shënuar një rënie prej 1,2 pikë përqindje.
Intensiteti në punësim i familjes i referohet numrit të muajve që të gjithë individët e familjes kanë punuar kundrejt numrit gjithsej të muajve që teorikisht duhet të punojnë gjatë vitit (12 muaj). Familjet të cilat konsiderohen me intensitet shumë të ulët në punësim përcaktohen në kufirin 20 %. Individët e grupmoshës 18-59 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim në vitin 2019 sipas vlerësimeve përbëjnë 12,4 %, kundrejt 13,3 % rezultuar në vitin 2018, duke pasqyruar një rënie prej 0,9 pikë përqindje.
Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim. Në vitin 2019, ky tregues është vlerësuar 46,2 %, kundrejt 49,0 % vlerësuar në vitin 2018.
Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2019 është vlerësuar 38,1 % kundrejt 26,1 % që është vlerësuar nëse do të përfshiheshin në nivelin e të ardhurave përfitimet sociale vetëm nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare.
Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave
Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave dhe gjinisë është analizuar për tre grupmosha.
Trendi në rënie vihet re në grupmoshat 18-64 vjeç dhe 65 vjeç e lart ku rreziku për të qenë i varfër në vitin 2019, në krahasim me vitin 2018, është ulur respektivisht me 0,4 dhe 0,1 pikë përqindje.
Grupmosha 0–17 vjeç ka pësuar një rritje të lehtë në vitin 2019 me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018.
Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2019 ka shënuar rënie me 1,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018. Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 2,1 pikë përqindje ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rënie prej 0,2 pikë përqindje.
Përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër sipas tipit të familjes, në vitin 2019, në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët krahasuar me familjet me fëmijë në varësi, përkatësisht 14,2 % dhe 27,2 % e individëve. Një vit më parë këto përqindje ishin përkatësisht 15,2 % dhe 27,0 %.
Pabarazia në rënie
INSTAT ka publikuar dhe nivelin e pabarazisë sipas shpërndarjes së të ardhurave matet nëpërmjet koeficentit Gini dhe raportit të kuintileve të të ardhurave (S80/S20).
Koeficenti Gini mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, ku vlera 0 % shpreh barazinë e plotë dhe të gjithë individët kanë të ardhura të njëjta, ndërsa një koeficient Gini i barabartë me 100 % shpreh pabarazinë e plotë ku vetëm një person ka të gjitha të ardhurat. Në vitin 2019, Gini është vlerësuar 34,3 %, duke pësuar rënie me 1.1 pikë përqindje nga viti 2018.
Raporti kuintileve S80/S20, është një indikator i cili mat pabarazinë në të ardhura me anë të raportit të nivelit më të lartë të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i fundit) me nivelin më të ulët të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i parë). Ai paraqet raportin ndërmjet të ardhurave gjithsej të ekuivalentuara të 20 % të popullsisë me të ardhura më të larta dhe të 20 % të popullsisë me të ardhura më të ulëta.
Në vitin 2019 raporti S80/S20 është vlerësuar 6,4 kundrejt raportit 7,0 që u vlerësua në vitin 2018. Për popullsinë 65 vjeç e lart ky raport në vitin 2019 është vlerësuar me 4,1 kundrejt 4,4 që ishte në vitin 2018.
Për personat nën 65 vjeç ky raport u vlerësua 6,8 në vitin 2019 kundrejt raportit 7,5 që ishte në vitin 2018.
Përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër, në rastet kur kufiri i rrezikut për të qenë i varfër përcaktohet në 50,0 % të medianës së të ardhurave të ekuivalentuara për frymë është vlerësuar 16,2 % në vitin 2019, krahasuar me 17,3 % të vlerësuar në vitin 2018.
Në vitin 2019, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë/të ekuivalentuara janë rritur me 6,5 %, krahasuar me vitin 2018.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor