Partia Socialiste ka përsëritur ftesën e saj për bashkëpunim me PD-në duke theksuar se kjo është tejet e rëndësishme për procesin e integrimit në BE.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Balla, tha se ftesa ishte e sinqertë dhe bazohej në interesa madhore.
“Reformat që do të kërkojë kjo fazë e fundit për anëtarësimin e Shqipërisë, nisja e bisedimeve të anëtarësimit, në këtë kuadër ftesa për të bashkëpunuar me opozitën është e sinqertë që bazohet në interesa madhore të vendit dhe kontributi i çdo faktori vendimmarrës dhe përfaqësues dhe sidomos kontributi i PD duhet të bëhet pjesë e kësaj aspirate dhe këtij procesi.” – tha Balla.
Ai shtoi se pret që PD ta pranojë këtë ftesë pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme të njoftuara për në korrik të këtij viti.
“Pas këtyre momenteve të përzgjedhjes dhe rikonfirmimit të lidershipit të PD, në ato proceset e brendshme të tyre, do të kemi mundësi në shtator që të identifikojmë se cilat janë çështjet që ne e kemi të nevojshme bashkëpunimin me njëri-tjetrin.” – shtoi Balla.