Gjermania nuk do të tolerojë asnjë sulm kundër ‘njerëzve me besim hebre’ në territorin e saj gjatë ngjarjeve të zhvilluara në Lindjen e Mesme, ka thënë Berlini pas sulmeve mbi sinagogat mes ngërçit të vazhdueshëm midis Tel Avivit dhe Gazës.
“Ne nuk duam dhe nuk do të tolerojmë urrejtjen e hebrenjve, pavarësisht nga kush, në vendin tonë.” – i tha Bild të enjten presidenti gjerman Frank-Ëalter Steinmeier, duke komentuar një seri sulmesh ndaj sinagogave në disa qytete gjermane.
“Asgjë nuk justifikon kërcënimin ndaj hebrenjve në Gjermani ose sulmet ndaj sinagogave në qytetet gjermane.” – tha presidenti. Në fillim të kësaj jave, Gjermania pa një varg sulmesh ndaj shtëpive të lutjeve hebreje që ndezën zemërim midis hebrenjve, të krishterëve dhe zyrtarëve gjermanë.
Të martën në mbrëmje, një flamur izraelit u dogj përpara një sinagoge në qytetin perëndimor gjerman Munster. Në një qytet tjetër perëndimor, Bon, një hyrje në një sinagogë u godit me gurë. Policia arrestoi autorë të dyshuar në të dy rastet. Disa nga të arrestuarit i thanë policisë veprimet e tyre u provokuan nga ‘konflikti i tanishëm mes Izraelit e Palestinës’.
Në Dusseldorf, individë të paidentifikuar i vunë flakën një guri përkujtimor që shënonte një vend ku dikur ishte ndërtuar një sinagogë. Steinmeier beson se ata që qëndrojnë pas sulmit kërkojnë të maskojnë urrejtjen dhe antisemitizmin e tyre prapa një të drejte për të protestuar.