KAS është mbledhur ditën e sotme për shqyrtimin e ankesave të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike për rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Beratit.
KAS vendosi të hapë materialet zgjedhore në kuti dhe procesverbalet PEI të pajisjet e identifikimit biometrik, për të parë nëse ka shkelje në proceverbale dhe në materialet e tjera zgjedhore.
“Ngarkohet administrata e KQZ për transportin dhe administrimin e provave të sipërcituara. Me shumicë votash vendosëm të mos pranojmë kërkesën e PD për marrjen e provave shtesë për seancën ankimore. KAS vendosi të kryqëzojë të dhënat me pajisjet elektronike për të evidentuar rastet e votimit të dyfishtë apo familjarë, të depozituar nga PD”, tha realtori i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve.
Lëvizja Socialiste për Integrim pretedon se në Qarkun e Beratit kësaj force politike iu mor mandati për 77 vota, duke akuzuar për shkelje të rënda gjatë procesit të votimit, ndërkohë që ka mijëra fletë të pavlefshme.
Ndërkaq, KAS shtyu vendimin për ankimin e PD dhe LSI për Beratin, deri në shqyrtimin e provave. Seanca e radhës do të mbahet të hënën.