Njerëzimi duhet të ndërmarrë veprime të shpejta për t’i rezistuar agresionit të Izraelit, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndërsa Ankaraja raportoi se gazetarët e agjencisë turke të lajmeve dhe shkollat e mbështetura nga Kombet e Bashkuara u goditën nga sulmet izraelite në Gaza.
“Ky shtet terrorist që përpiqet të plaçkisë një qytet si Jeruzalemi, i cili strehon vende të shenjta për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë, ka kaluar të gjitha kufijtë.” – tha Erdogan në fundjavë duke iu referuar Izraelit.
“Është e domosdoshme që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të ndërmarrë hapa për të siguruar paqen në Jeruzalem në përputhje me vendimet e Asamblesë së Përgjithshme.” – shtoi presidenti gjatë një takimi me anëtarët e partisë së tij.
Turqia është e gatshme të mbështesë në mënyrë aktive çdo iniciativë të njoftuar nga Kombet e Bashkuara, tha ai, duke shtuar se kombi i tij nuk do heshtë edhe nëse pjesa tjetër e botës injoron zhvillimet në Gaza.