Ministrja Spiropali ka thënë mbrëmjen e sotme se fitorja e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit është e pastër dhe e kristaltë.
Ajo ishte e ftuar në rubrikën ‘Kjo Javë’ në Neës24 ku theksoi se PS nuk do përzihet në vendimet që do marrë KAS.
Ministrja tha gjithashtu se PD ka pranuar rezultatin duke qenë se ka pranuar mandatet e dala nga zgjedhjet e 25 prillit e do jetë pjesë e Kuvendit.
“Rezultati zgjedhor është i certifikuar dhe nga opozita, PD e cila ka pranuar mandatet e dala nga këto zgjedhje do të marrë pjesë në Kuvend. Nuk kam asnjë koment mbi vendimet e KAS, është detyra e tij. Nuk kemi ne asnjë arsye të ndërhyjmë në punët e një institucioni që e kemi votuar për të bërë detyrën. Fitorja e PS është e pastër, e pandikuar, e kristaltë siç ka dalë rezultati.” – deklaroi Spiropali.
Ajo shtoi se nuk ka asnjë mundësi që zgjedhjet lokale të përsëriten pasi ato janë bërë në vitin 2019 dhe se puna në bashkitë e vendit duhet të vijojë.