Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka përsëritur sot se vendit nuk i duhet një konflikt i ngrirë me Kosovën pasi ai sjell vetëm viktima.
Ai e bëri deklaratën gjatë takimit me homologun slloven, Pahor në Beograd.
“Jemi të përkushtuar për një dialog me Prishtinën nën kujdesin e Brukselit. Ne ishim gati për dialog në maj, do të jemi gati në qershor dhe gjithmonë, sepse ne besojmë se asnjë konflikt i ngrirë nuk është i mirë. E shihni se si përfundojnë, çdo pesë vjet dikush i shkrin dhe ato përfundojnë me qindra e mijëra të vdekur. Nuk na duhet kjo.” – tha Vuçiç në një konferencë të përbashkët shtypi me Pahor.
Kosova e Serbia pritet të rinisin dialogun gjatë muajit qershor me ndërmjetësimin e Brukselit.