Pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, Partia Demokratike do të mbledhë pasditen e sotme Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar.
Mësohet se fillimisht do të mblidhet Kryesia e PD-së në orën 17:99, ku në rend dite do të jenë “diskutime dhe vendimmarrje sipas statutit për proceset pas situatës së krijuar me masakrën e elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit”.
Në mbledhjen e parë të kryesisë do të analizohet rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit në çdo qark, e po ashtu pritet të hidhet në diskutim shpallja e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.
Pas kësaj, në orën 19:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar me të njëjtin rend dite.
Kjo do të jetë dhe përballja e parë e kryetarit të PD-së Lulzim Basha me kritikët e tij brenda partisë, të cilët i kanë kërkuar që të japë dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet parlamentare.
Kujtojmë anëtarin e Kryesisë Fatbardh Kadillin, i cili ka shpallur publikisht kandidaturën për kreun e PD-së, si dhe ish-presidentin Bujar Nishani, i cili është kryetari i Këshillit Kombëtar. Edhe ai ka kërkuar largimin e Bashës nga drejtimi i partisë dhe reformimin e saj.