Papa Françesku meshën e kësaj të diele e ka dedikuuar për njerëzit në Mianmar, pas marrjes së pushtetit nga ushtria.
Siç shkruan Associated Press, ai u lut për paqe, unitet dhe që Zoti “të na lirojë nga pushteti i së keqes”.
Disa qindra njerëz, shumë prej tyre studentë dhe murgesha nga Mianmari, u bashkuan me Papa Françeskun në Bazilikën e Shën Pjetrit për shërbimin, i cili pasoi thirrjet e tij të mëparshme për t’i dhënë fund dhunës në kombin aziatik.
Papa Françesku i cili bëri një udhëtim diplomatik të pashembullt në Mianmar në vitin 2017, nxiti komunitetin e vogël të krishterë të vendit të ruajë besimin, të punojë për paqen dhe të mos lejojë që konfliktet e vogla të kthehen në ndarje të mëdha.
“Mos e humbisni shpresën.”- tha ai. “Edhe sot, Jezusi po ndërmjetëson para Atit për të gjithë ne, duke u lutur që të na mbrojë nga ligësia dhe të na lirojë nga pushteti i së keqes.”
Ushtria e Mianmarit rrëzoi qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi në shkurt. Procesverbalet e hollësishme të përpiluara nga disa grupe të ndryshme vëzhguese thonë se forcat e sigurimit të qeverisë kanë vrarë mbi 750 protestues dhe kalimtarë të rastit të cilët kanë kundërshtuar marrjen e pushtetit nga ushtria.