Me rënien e numrit të rasteve me COVID-19, Turqia gradualisht do të heqë kufizimet duke filluar të hënën, sipas një njoftimi zyrtar, raporton Anadolu Agency.
Ministria e Brendshme përmes një deklarate njoftoi se normalizimi gradual do të fillojë në orën 5:00 të mëngjesit sipas orës lokale të hënën dhe do të përfundojë në të njëjtën kohë më 1 qershor.
Brenda kësaj periudhe, gjatë ditëve të javës do të ketë orë policore natën nga ora 21:00 deri në 5:00 të mëngjesit, ndërsa fundjavat do të jenë nën bllokim të plotë, tha ministria.
Gjatë kësaj periudhe, udhëtimet midis qyteteve do të lejohen jashtë ditëve dhe orëve policore.
Nuk do të ketë kufizime të veçanta për njerëzit 65 vjeç e më lart që kanë marrë dy dozat e vaksinës COVID-19 ose ata nën 18 vjeç.
Restorantet, qendrat tregtare dhe sallat e dasmave
Kafenetë dhe restorantet do të ofrojnë shërbime të shpërndarjes së ushqimit dhe “merr dhe shko” vetëm gjatë ditëve të javës nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, dhe gjatë fundjavave, shërbim të dorëzimit vetëm nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 24:00.
Qendrat tregtare do të jenë në gjendje të veprojnë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 gjatë ditëve të javës dhe do të mbyllen gjatë fundjavave.
Sallat e dasmave, qendrat sportive dhe sallat e lojërave do të mbeten të mbyllura.
Njoftimi erdhi ndërsa bllokimi 17-ditor i Turqisë është vendosur të përfundojë të hënën në 5:00 të mëngjesit.
Turqia deri më tani ka regjistruar 44.537 vdekje nga COVID-19, ndërsa mbi 4,9 milionë njerëz janë shëruar nga sëmundja. Në vend janë regjistruar mbi 5 milionë raste të konfirmuara.
Turqia ka administruar mbi 25,7 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit që nga fillimi i fushatës së vaksinimit masiv në mes të janarit, sipas shifrave zyrtare.
Më shumë se 14,9 milionë njerëz kanë marrë dozat e tyre të para, dhe mbi 10,8 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht.