Vendosni fjalën kyçe....

Grupi ‘Për PD-në’: Zgjedhjet për kreun e PD si ato të 25 prillit, proces i deformuar po do e vijojmë betejën politike


Grupi ‘Për PD-në’ e quan mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së mbrëmjen e djeshme si projeksion të masakrës elektorale të kryedemokratit Basha në zgjedhjet e lajmëruara për 13 qershorin.

Në një deklaratë në Facebook grupi vëren se ndërsa në mbledhje pritej analiza e thellë e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, Basha, vendosi hapjen e zgjedhjeve të parakohshme për kreun e PD.

Sipas grupit për PD-në, një vendim i tillë tregon se shqetësimi i Bashës nuk shtë humbja e turpshme e zgjedhjeve të 25 prillit e as masakra elektorale por mbajtja e karriges së kryetarit.

“Grupi “Për PD-në” vlerëson se mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike e cila kishte si temë të paracaktuar masakrën elektorale të Edi Ramës, në fakt projektoi masakrën elektorale të Lulzim Bashës. Kur të gjithë demokratët prisnin një analizë të thellë të zgjedhjeve të 25 prillit, marrjen e përgjegjësive dhe dorëheqjen e Kryetarit të Partisë, Lulzim Basha vendosi hapjen e zgjedhjeve të parakohëshme për kryetar partie. Ky vendim tregon se shqetësimi i Lulzim Bashës nuk është humbja e turpshme e zgjedhjeve të 25 prillit, as masakra elektorale por mbajtja e karriges së Kryetarit. Ai nuk priti as vendimet gjyqësore dhe as çertifikimin e zgjedhjeve për të cilët akuzoi për dy javë kundërshtarët e tij në parti, por ai rendi të çertifikonte veten e tij si kryetar. Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë por eleminimin e debatit në rradhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar.” – thuhet në deklaratën e grupit në Facebook.

Deklarata vijon duke hedhur akuza në drejtim të komisionit zgjedhor, që sipas grupit, është zgjedhur në mënyrë të njëanshme dhe është vegël e kreut të PD-së që do caktojë edhe kundërshtarët e tij dhe rregullat e lojës. Në reagim thuhet më poshtë se Këshilli Kombëtar nuk ka trajtuar problemin e listave të kandidatëve për deputet, të cilat sipas grupit në fjalë, kanë qenë fiktive dhe nuk kanë përfaqësuar anëtarësinë.

“Kryetari i Partisë emëroi në mënyrë krejtësisht të njëanshme një komision zgjedhor. Pra, ky komision zgjedhor është vegël e kryetarit dhe nuk siguron kushte të barabarta për konkurrencë të ndershme. Komisioni i emëruar prej kryetarit do të përcaktojë edhe kriteret e pranimit të kandidadurave. Pra, Kryetari përcakton kundërshtarët e tij. Vendimi i Këshillit Kombëtar nuk trajtoi problemin themelor të zgjedhjeve për kryetarin e partisë në vitin 2017 që janë listat e anëtarësisë. Listat janë fiktive dhe nuk përfaqësojne realisht anëtarësinë dhe nuk ka transparencë në të gjithë këtë proces. – vijon deklarata.

Në fund, grupi Për PD-në i drejton disa pyetje kreut të PD-së Basha. Ata e pyesin kryedemokratin nëse mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme për kreun kur ai kontrollon komisionin zgjedhor, listat e anëtarësisë dhe kriteret e kandidatëve.

Grupi thekson se zgjedhjet në PD janë vazhdim i zgjedhjeve të 25 prillit, me të njëjtat metoda e mjete megjithatë pohon se do marrë pjesë në garë edhe pse procesi është i deformuar që në fillim.

“Atëherë pyesim Z. Basha si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Parti kur njëra palë kontrollon komisionin zgjedhor, listat e anëtarësisë, dhe kriteret e pranimit të kandidatëve? Si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në parti kur Kryetari që humbi zgjedhjet për herë të katërt, nuk jep dorëheqjen dhe rikandidon duke përdorur administratën dhe të gjitha burimet e tjera të partisë? Si mund të marrë vendim për kandidatët për Kryetar Partie, Kryesia e Partisë anëtarët e të cilës kudo që ishin në garë kanë humbur? Këto janë asgjë tjetër veçse vazhdim i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, me të njëjtat metoda dhe mjete. Grupi “Për PD-në” i cili ka synuar marrjen e përgjegjësive politike nga Kryetari dhe Kryesia për humbjen e zgjedhjeve parlamentare, analizën dhe reformën në Partinë Demokratike, vlerëson se ky process është i deformuar që në zanafillë, por ne jemi të bindur për të vazhduar këtë betejë politike.” – mbyllet deklarata.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *