Shërbimi delivery në Shqipëri është lidhur gjithnjë ngushtë me imazhin e një djali që lëviz si i çmendur me motorin përgjatë rrugëve për të arritur sa më shpejtë tek klienti.
Por ajo bën përjashtim nga ky “zinxhir maskilist” duke thyer jo vetëm këtë algoritëm të ngjizur ngahera por edhe tabutë që shoqërojnë qytetin e saj.
Aria Shehu është një 20- vjeçare e cila punon duke shpërndarë pica me motor në një qytet të vogël në verilindje të Shqipërisë, atje ku mentaliteti ka ngritur në fron gjininë mashkullore e vajzat janë gjithnjë objekt i bisedave të paragjykimit.
Në atë qytet kur ti gozhdohesh nëse fustani yt është më i shkurtër se e zakonshmja për syrin e meshkujve ,të shohësh një vajzë që bën një “punë djali” dhe nget një motor, e bën atë menjëherë pjesë të thashethemeve që diskutohen në tavolinat e kafeneve.
Nga historia e saj kupton që nuk ishte Aria ajo që zgjodhi këtë punë por ishte vetë puna ajo që zgjodhi atë.
Aria ishte vetëm 18 vjeç kur pa njoftimin që kishte nxjerrë piceria në të cilën punon aktualisht dhe shkoi menjëherë me idenë për të kërkuar punë.
Ajo tregon se së pari është përballur me skepticizëm nga pronari dhe bashkëshortja e tij jo vetëm për shkak të paragjykimit por edhe sepse i druheshin ndonjë aksidenti të mundshëm.
Megjithatë, Aria tregon se e ka ngarë motorin që në moshën 13 vjeçare dhe nuk e trembte fare ajo pjesë.
“Babai im ka patur dikur disa probleme me alkoolin dhe unë si fëmija më i madh jam detyruar që në vegjëli të punoj disa punë të ndryshme dhe të marr rolin e ‘djalit të familjes’ për vëllain dhe motrën time më të vogël. Madje disa më thërrasin dhe ‘Ari’.
Në një situatë të tillë ata janë mësuar me të gjithë punët që kam bërë unë ndër vite. Edhe rrethi im shoqëror gjithashtu, e dinë që unë kam punuar që e vogël për të mbuluar disa nga shpenzimet e familjes dhe më kanë mbështetur gjithmonë.Asnjë prej tyre as nuk më ka paragjykuar dhe as nuk janë habitur.” – tregon ajo për gazetën “SI.”
Aria e di se jo vetëm në qytetin e saj por edhe në Shqipëri nuk janë shumë të shpeshta vajzat që bëjnë delivery.
“Paragjykohesh shumë, sidomos këtu. Kam dëgjuar komente nga më të ndryshme, sa seksiste aq dhe të ashpra. Më kanë quajtur ‘të përdalë’, ‘kokëkrisur’ dhe shumë epitete të tjera si këto. Në fillim e vuajta disi pjesën e mentalitetit sepse është e pashmangshme sado që përpiqesh të jesh indiferente, por vetëm javët e para.
Me kalimin e ditëve e binda veten me idenë që kjo që po bëj është shumë në rregull për sa kohë po e bëj me ndershmëri. Puna nuk është turp.”
Aria rrëfen se ideja që po ndihmon familjen me disa para më shumë në fund të muajit e bën atë të ndihet më mirë. Ajo nuk ka patur ende mundësinë për të ndjekur një shkollë të lartë por e ngushëllon ideja që ka mundësi të mbuloje shpenzimet e saj e të kontribuoje në buxhetin e familjes gjithashtu.
Puna e saj ndahet në dy turne.
“Në turnin e paradites punoj nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 15 të pasdites ose nga ora 15 deri në orën 21 të mbrëmjes. Varet edhe nga sezoni, përgjithësisht në verë punojmë me orare më të zgjatura për shkak se vijnë dhe emigrantët dhe fluksi i punës është më i madh.
Kjo është një punë fitimprurëse sepse kostot në këtë qytet nuk është se janë shumë të larta kështu që ia dal mjaftueshëm mirë. Gjithashtu, fakti që rri në shtëpinë time është një ndihmesë shumë e madhe në krahasim me disa shoqe që punojnë dhe jetojnë me qira.” – rrëfen ajo.
Në fillimet e punës së saj, është përballur me reagime të shumta edhe nga klientët gjithashtu.
“Reagimi më i shpeshtë ishte pyetja: “Vajza ju e keni sjellë porosinë?”, sepse prisnin që të ishte një djalë poshtë kaskës së motorrit dhe më shihnin disi me dyshim.
Por këtu qyteti është i vogël dhe banorët nuk janë të shumtë. U mësuan pastaj me idenë që do ua dërgoja unë porosinë dhe tani më presin me buzëqeshje përgjithësisht.”
Edhe Aria është rritur në një qytet ku i kanë thënë të ulë zërin, të ulë kokën,të ulë fundin por ndryshe nga shumë vajza të tjera që iu bindën kësaj mendësie, Aria nuk veproi kështu.
Atë do ta shihni çdo ditë duke shpërndarë pica teksa veç zhurmës së motorit ajo lë pas edhe të gjithë epitetet, diskutimet dhe tabutë që ka thyer…
Dikur në komunizëm edhe pse sistemi e nxiste një grua shofere ishte tabu… sot pas kaq shumë dekadash një femër në motor është ende tabu…
Sa larg jemi!!
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e GazetaSI