Organizata Politike ka denoncuar dhunën ndaj aktivistëve të saj ditën e djeshme në protestën e organizuar në ‘Sheshin Skënderbej’ në solidaritet me atë që po ndodh në Palestinë.
Sipas Qorit, aktivistët e Organizatës Politike janë rrahur gjatë protestës, rrugës për në komisariat po edhe brenda komisariatit të policisë.
Qori denoncon se dhuna është ushtruar nga policë civilë dhe me uniformë duke thënë se dhuna nuk është rastësore po e ka burimin në krye të qeverisë.
“Aktivistët e Organizatës Politike i kanë rrahur gjatë protestës, rrugës për në komisariat dhe brenda zyrave të komisariatit. Policë civilë dhe me uniformë, njëri më pervers se tjetri, kanë goditur pa asnjë arsye djem të rinj me fytyrë për muri, i kanë prangosur dhe fotografuar me celularë personalë për t’u zgërdhyer me shefat. Ky trajtim nuk është rastësor, por produkt i dhunës që e ka burimin në krye të qeverisë. Është e njëjta frymë që vrau Klodian Rashën. Në Shqipëri ka një mizëri OJF-sh e YZZH-sh që vjelin paratë e popujve të Evropës për të mbrojtur të drejtat e njeriut, por për raste të tilla nuk do t’ia dijë njeri. Rroga merret, raportet qëndisen dhe Shqipëria marshon triumfalisht drejt Bashkimit Evropian.” – shkruan Qori në Facebook.