Policia ka dhënë informacionin zyrtar në lidhje me vrasjen e ndodhur në Shkodër.
Kështu bëhet me dije se trupi i pajetë i 32-vjeçarit Endri Mustafa u gjet i vrarë në bregun e liqenit, në livadhet e lagjes Guerile.
Po ashtu thuhet se është ngritur një grup i posaçëm hetimor për të zbardhur ngjarjen.
“Më datë 17.05.2021, në orën 09:00, në bregun e liqenit, në livadhe, në lagjen Guerile, Shkodër është gjetur i pajetë shtetasi E. M., 32 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri.
Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.”– thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një pistoletë tip “Berette” që nuk dihet nëse është e viktimës apo e autorëve, por asaj do i merren shenjat e gishtave që kanë mbetur mbi të.
Zona e Livadhes ku është gjetur i vrarë Mustafa është problematike kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla kriminale dhe djegie makinash nga autorët e atentateve.
Personi i gjetur i pajetë Endri Mustafa, është një person i njohur për policinë.
Kjo sepse Mustafa është arrestuar në vitin 2016 për grabitje e arsenal armësh së bashku me vëllezërit e njohur Bilali, Astrit dhe Brahim Bilalin, si dhe Ardit dhe Bekim Torishtën.
Po ashtu 32-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për plagosje, ndërsa emri i tij del përsëri në vitin 2020 gjatë operacionit “Maranaj” ku u shpall në kërkim për fajde.