Agjencia për Fëmijët e Kombeve të Bashkuara UNICEF ka kërkuar nga grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës, i njohur si G7, si dhe nga Bashkimi Evropian që të dhurojnë vaksina për vendet e varfra.
Henrietta Fore, Drejtoresha ekzekutive e agjencisë, e bëri deklaratën nga qyteti i New York-ut ndërsa udhëheqësit e G7-ës po përgatiten për samitin që do të mbahet muajin tjetër në Mbretërinë e Bashkuar.
Fore tha se vendet e G7-ës dhe të BE-së mund të dhurojnë rreth 153 milionë doza nëse ndajnë vetëm 20 për qind të furnizimit të tyre, që e kanë në dispozion gjatë muajit qershor, korrik dhe gusht.
“Udhëheqësit e G7-ës do të takohen muajin e ardhshëm me një masë të mundshme emergjente të ndalimit të hendekut të vaksinave. Analiza e të dhënave të reja të siguruara nga Airfinity, struktura kërkimore e shkencave të jetës dhe e porositur nga Komiteti Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar për UNICEF, tregon se kombet e G7 dhe grupi ‘Team Europe’ i Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian mund të dhurojnë rreth 153 milion doza vaksinash, nëse ndajnë vetëm 20 përqind të furnizimit të tyre në dispozicion gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit. Në mënyrë kritike, ata mund ta bënin këtë ndërsa ishin ende duke përmbushur zotimet e tyre për të vaksinuar popullatat e tyre.”– tha Fore.
Fore tha se një donacion i tillë mund të ndihmojë për të parandaluar vendet e pambrojtura të bëhen zona tjetër e nxehtë globale e shpërthimit të virusit.
Shefja e UNICEF ngriti në veçanti shqetësimin për rritjen e rasteve dhe të vdekjeve në Indi nga Covid-19.