Vendosni fjalën kyçe....

Shifrat e FMN-së: Shqipëria dhe Kosova, të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, tre herë më të varfër se perëndimi


Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet, qytetarët e të cilave mund të blejnë më pak mallra dhe produkte në Europë, duke marrë në konsideratë të ardhurat e tyre vjetore për frymë (pa përfshirë shtetet e ish Bashkimit Sovjetik).

Të dhënat janë përditësuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që publikon treguesin e prodhimit të brendshëm për frymë, sipas standardeve të fuqisë blerëse, në dollarë ndërkombëtarë për frymë. Një dollar ndërkombëtar ka të njëjtë fuqi blerëse mbi prodhimin e brendshëm bruto (PBB) si një dollar amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas FMN-së, në Shqipëri, prodhimi i brendshëm për frymë, sipas standardeve të fuqisë blerëse, në dollarë ndërkombëtarë për vitin 2020 ishte 14.2 mijë dollarë, shifër që është 5.5% më e ulët sesa Bosnjë Hercegovina, që renditet para nesh dhe 32-33% më e ulët sesa në Serbi dhe Mal të Zi, që janë dy shtetet e rajonit me më shumë të ardhura për frymë. Edhe në krahasim me Maqedoninë e Veriut, ky tregues është 30% më i ulët.
Shqipëria renditet në vendin e 90 në botë lë pas vetëm Armeninë (93), Ukrainën (95), Moldavinë (98).
Ndërsa Kosova është absolutisht më e varfra e Europës, me 11.2 mijë dollarë amerikanë për frymë, duke u renditur në vendin e 108 në botë.
Nga rajoni kryeson Mali i Zi, në vendin e 70 dhe me 19.2 mijë dollarë amerikanë për frymë, e ndjekur nga Serbia (71), me 19.1 mijë dollarë amerikanë. Maqedonia e Veriut është e 79-a, me 16.7 mijë dollarë ndërkombëtarë.
Për shkak të rritjes me ritme më të shpejta të viteve të fundit, edhe Bosnjë Hercegovina renditet para Shqipërisë, në vendin e 83, me 15 mijë dollarë ndërkombëtarë.
Në raport me vitin e mëparshëm të ardhurat e shqiptarëve, të matura sipas treguesit të barazisë së fuqisë blerëse, kanë rënë me 2.1%, si rrjedhojë e pasojave që pandemia e Covid-19 dha në Shqipëri. Ndërsa në 2020-n, ky tregues pritet të arrijë në 15.2 mijë dollarë ndërkombëtare për frymë (me rritje 7.2%).
Në krahasim me mesataren e Europës Perëndimore, të ardhurat e shqiptarëve, të matura në dollarë amerikanë për frymë janë 3.3 herë më të ulëta (mesatarja e Europës perëndimore ishte 47.7 dollarë amerikanë në 2020-n).
Ndërsa në Kosovë, ky tregues është 4.2 herë më i ulët se mesatarja e Europës Perëndimore.
Vitet e fundit, Shqipëria pothuajse ka ngecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që kërkon një rritje më të shpejtë të vendeve në zhvillim, me synim arritjen brenda një periudhe sa më të shkurtër të mesatares së shteteve të zhvilluara.
Shqipëria ka bërë përpara nga 2008-a deri në 2011-n, kur prodhimi i brendshëm për frymë, sipas fuqisë blerëse u rrit nga 25% e mesatares europiane në 30%. Më pas, mbeti në vend dhe në 2019-n, treguesi ishte sa 31% e mesatares së BE-së.
Në raport me shtetet e tjera të rajonit (pa përfshirë Kosovën), Shqipëria vijon të jetë e fundit në Europë. Ecurinë më të mirë e ka shënuar Mali i Zi, që ka arritur në 50% të mesatares së BE-së në 2019. Hendeku mes dy shteteve fqinjë është thelluar në 19 pikë përqindje, nga 17% në 2008-n.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *