Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është zhvilluar mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Në këtë mbledhje është votuar që Presidentit të Republikës t’i lihet një afat për t’u paraqitur në komision nga nesër deri të hënën e ardhshme që të vendosë dhe të vijë kur të dojë.
“Presidenti konteston legjitimitetin e Kuvendit, ngre pretendime procedurale lidhur me shkresat e Komisionit Hetimor. Ai thotë se në dy rastet ku i është kërkuar thirrja për t’u paraqitur në seancat dëgjimore, ka qenë i angazhuar. Secili nga anëtarët e komisionit, mund të njihet me tekstin e plotë të shkresës dhe argumentet e presidentit. Unë propozoj, që duke mundësuar dëgjesën e presidentit, me qëllim për të dëgjuar edhe palën tjetër që është le të themi pala nën hetim, sipas Kushtetutës, rregullores së Kuvendit, por edhe detyrim i këtij komisioni për të dëgjuar Presidentin, por edhe qëndrim dhe e drejtë nga ana e tij.
Propozoj t’i nisim një shkresë Presidentit, që ne si komision, jemi të hapur për ta dëgjuar nga e nesërmja deri ditën e hënë. Për ta dëgjuar, e të shmangur alibitë. Nga data 19 maj deri të hënën. Ne e kemi të pamundur që përtej ditës së hënë, 24 maj, për të zhvilluar veprimtarinë hetimore.
Ne duhet të mbyllim hetimet dhe të kemi mundësi për të bërë një krehje të plotë për faktet, e për të krijuar bindjen e plotë e më tej për të mundësuar përgatitjen e raportit, koha do të ishte e papranueshme, afati aktual do të jetë ditën e hënë.”- tha kryetari i këtij Komisioni, Alket Hyseni.
Nga ana tjetër, anëtari i komisionit Spartak Braho, reagoi ndaj letrës së Presidentit Meta, i cili tha se nëse Meta nuk e njeh Parlamentin, kjo sipas tij konsiderohet një “puç”.
“Më zuri veshi sikur thatë nuk e njeh legjitimitetin e Kuvendit, ky është puc. S’njeh më Republikën parlamentare. Kështu është? Na e lexoni ju lutem edhe njëherë, çfarë thotë?”– tha Braho.
Më pas ai kërkoi pesë minuta pushim, që të kishte kohë të lexonte përgjigjen e presidentit Meta.