Policia e Kavajës ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për shtetasin Nikolla Dura (Duri) nga Lushnja, i cili në Itali po gjykohet për vrasje të kryer në bashkëpunim.
Gjykata e Firences, i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Njoftimi i policisë:
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Interpol Tirana.
Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 59-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Interpol Tirana, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndjekja”, në kuadër të të cilit u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit N. D.(D.), 59 vjeç, banues në Lushnjë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.