Diplomatët raportojnë përparime në bisedimet me Iranin për marrëveshjen bërthamore


Zyrtarë të lartë të disa vendeve kanë thënë se është shënuar përparim në bisedimet për të ringjallur paktin e vitit 2015 të fuqive botërore me Iranin dhe për të bindur Shtetet e Bashkuara të ribashkohen me marrëveshjen historike.

Një raund i ri i diskutimeve është zhvilluar më 19 maj në Vjenë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se janë shënuar “rezultate konkrete” në bisedime, duke shtuar se qëllimi kyç mbetet që në dy javët e ardhshme të krijohen kushtet që SHBA-ja të kthehet në marrëveshje.

Ai nuk dha detaje se, në cilat drejtime ishte shënuar përparimi.

Enrique Mora, zyrtari i BE-së që merr pjesë në bisedime, tha se ai ishte “mjaft i sigurt” se një marrëveshje do të arrihej ndërsa i dërguari rus, Mikhail Ulyanov, tha në Twitter se, shpresonte që në javën e ardhshme të zhvillohet raundi i fundit i bisedimeve.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një delegacion Vjenë dhe zyrtarët e vendeve tjera po konsultohen me diplomatët amerikanë dhe ata të Iranit përmes takimeve të ndara.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *