Infermierja që u kujdes për Boris Johnsonin në spital, jep dorëheqjen dhe kritikon qeverinë e tij për pandeminë


Një infermiere e cila është kujdesur për kryeministrin britanik Boris Johnson kur ai ndodhej në kujdes intensiv me Covid-19, ka lënë punën në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar dhe kritikon qeverinë për trajtimin e pandemisë dhe pagat e infermierëve.

Zonja Jenny McGee tha se ajo ishte “duke bërë një hap prapa” pas “vitit të saj më të vështirë” në punë, por shpresonte të kthehej.

Në një dokumentar që u transmetua në “Channel 4”, McGee tha se infermierët nuk po merrnin “respektin dhe pagat” që meritojnë. Ajo shprehet se shumë infermierë si ajo mendonin se qeveria “nuk kishte udhëhequr me shumë efektshmëri” gjatë pandemisë dhe se kishte pasur “pavendosmëri” dhe “kaq shumë mesazhe të përziera”.

Qeveria ka rekomanduar një rritje page prej 1% për stafin e NHS-së (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar) këtë vit, shkruan BBC. Zonja McGee, me origjinë nga Zelanda e Re, tani ka në plan të punojë jashtë Britanisë dhe të kalojë kohë në vendin e saj të lindjes. Sipas saj kjo kishte qenë “shumë shqetësuese” për ta.

“Ne nuk po marrim respektin dhe as pagat që meritojmë. Mua thjesht më ka ardhur në majë të hundës nga kjo. Kështu që unë kam dorëzuar dorëheqjen time.”– tha McGee.

Ajo shton: “Pas vitit më të vështirë të karrierës time të infermierisë, unë jam duke bërë një hap prapa nga NHS por shpresoj të kthehem në të ardhmen. Unë jam e ngazëllyer për të filluar një kontratë infermierie në Karaibe, përpara pushimeve në shtëpi në Zelandën e Re më vonë gjatë vitit. Jam shumë krenar që kam punuar në Spitalin St Thomas dhe kam qenë pjesë e një ekipi kaq fantastik.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *