Izraeli ka zbuluar një nga shënjestrat e tij kryesore të sulmeve në Gaza, që është shefi ushtarak i Hamasit Mohammed Deif.
“Gjatë gjithë operacionit ne kemi provuar të vrasim Mohammed Deif. Ne jemi përpjekur ta vrasim atë disa herë.”- tha një zëdhënës i ushtrisë, Hidai Zilberman, citon BBC.
Ai nuk dha detaje të mëtejshme, por raportet e medieve izraelite sugjerojnë që Deif ka arritur t’i shpëtojë sulmeve të fundit ajrore izraelite.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se vetëm gjatë javës së kaluar, u përpoqën ta vrisnin Deif, të paktën dy herë por të dyja herët ai shpëtoi i padëmtuar.
Deif është kreu i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadat Izzedine al-Qassam dhe ka qenë në krye të listës së personave “më të kërkuar” të Izraelit për vite me rradhë.
Times of Israel shkruan se Deif ka qenë në këtë listë për mbi 25 vjet “për përfshirjen e tij në planifikimin dhe ekzekutimin e një numri të madh sulmesh terroriste, duke përfshirë shumë bombardime me autobus në vitet e kaluara. Ushtria izraelite e konsideron Deifin si një komandant të aftë në terren.”
Ai mendohet se u ka shpëtuar përpjekjeve të ushtrisë izraelite për ta vrarë atë në disa raste, përfshirë edhe në konfliktin e fundit të madh në vitin 2014 kur iu vranë gruaja dhe dy fëmijët e tij.
Para dy përpjekjeve të dështuara të Izraelit këtë muaj, shërbimet e sigurisë izraelite u përpoqën të vrisnin Deif të paktën pesë herë përgjatë viteve.
Përpjekja e parë u zhvillua në vitin 2001, e dyta në vitin 2002 që i kushtoi njërin sy dhe e treta një vit më vonë. Në një tjetër sulm të vitit 2006 ai u plagos rëndë, duke humbur të dy këmbët dhe njërin krah. Në vitin 2014, gjatë luftës së atij viti në Gaza, Izraeli përsëri u përpoq të vriste Deif-in, por e humbi atë, duke vrarë në vend të tij gruan e tij, djalin e mitur dhe vajzën 3-vjeçare. Izraeli fillimisht besoi se edhe Deif ishte vrarë në këtë sulm, por më vonë u mësua se kishte mbijetuar.