Disa vende në Ballkan ende dominohen nga kriminelë lufte e paqeje, sipas kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Kështu është shprehur ai pas darkës në Bruksel mes liderëve të vendeve të rajonit.
Kurti deklaroi për mediat e Kosovës se BE-ja duhet t’i përmbahet tri vlerave, në mesin e të cilave është edhe përballja me të kaluarën. Kurti tha se në shtete të Ballkanit Perëndimor ka ende “kriminelë të luftës dhe të paqes”, duke iu referuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiçit.
“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse u përmbahen 3 vlerave: demokratizimit, sundimit të ligjit – nëse luftohen oligarkitë në ekonomi – dhe ballafaqimit me të kaluarën, pra duhet të eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës e paqes”, theksoi Kurti siç citon DW, duke shtuar se “edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”.
Darka e përbashkët në Bruksel u mbajt në nivelin e kryeministrave, përveç Malit të Zi, i cili u prezantua nga presidenti. Ndërsa nga BE ishte edhe komisioneri për zgjerimin. Në këtë darkë ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës.
Qëllimi i shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell ishte që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të shkëmbejnë mendime për çështje shumë të rëndësishme, në një atmosferë më të relaksuar.