Vendosni fjalën kyçe....

“Kush mbështet teorinë e faktit të kryer është bashkëfajtor në cenimin e standardeve zgjedhore” – Meta


Presidenti Meta tha sot se institucionet duhet të shqyrtojnë me përgjegjshmëri të gjithë denoncimet a ankesat e subjekteve politike që pretendojnë parregullsi gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.

Në një reagim në Facebook, kreu i shtetit thekson se procesi i shyqrtimit të ankesave është tejet i rëndësishëm në mënyrë që çdo votë të numërohet deri në fund sipas ligjit.

“Tashmë ndaj rezultatit të shpallur shumë subjekte zgjedhore kanë paraqitur dhe po ndjekin procedurat ankimore në organet respektive administrative në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ dhe ato gjyqësore, ndërkohë që, çështjet penale të hapura si rezultat i denoncimeve për krimet zgjedhore të konsumuara nga administrata publike dhe funksionarët e lartë drejtues, politikë ose jo, po ndiqen në organet respektive nga subjektet denoncuese të tyre. Si Presidenti i Republikës, u bëj thirrje të gjitha institucioneve administrative dhe gjyqësore, që të shqyrtojnë me përgjegjshmëri dhe objektivitet të gjitha ankesat e parashtruara, pasi integriteti i këtij procesi ankimor, është po aq i rëndësishëm, sa dhe vet rezultati i shqyrtimit të këtyre ankesave. Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet e rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor.” – shkruan Meta.

Ai bën thirrje për këqyrjene verifikimin e çdo materiali zgjedhor apo fakti me objektivitet e paanësi. Po kështu Meta thekson se asgjë nuk ka përfunduar sipas Kodit Zgjedhor duke u bërë thirrje partive e kandidatëve që të presin rezultatin me maturi e qetësi.

“Është e rëndësishme, që çdo fakt, e dhënë, material zgjedhor, të kqyret e verifikohet, me objektivitet dhe paanënësi. Asgjë nuk ka përfunduar! Kodi Zgjedhor, në nenin 167 të tij, e përcakton shumë qartë se KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, vetëm pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimit, sipas këtij Kodi. Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, jemi ende në periudhë zgjedhore, dhe subjektet politikë, përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi dhe të ndjekin nga afër proceset, që ata kanë ngritur.” – vijon deklarata e Metës.

Në fund të reagimit të tij, presidenti shkruan se të gjitha organet e ngarkuara nga ligji duhet të bëjnë detyrën që u cakton Kushtetuta duke shtuar edhe njëherë që prokuroria e gjykata t’i paraprijnë procesit në mënyrë që të mos lejojnë uljen në Kuvend të deputetëve të zgjedhur me vota të blera apo përmed një procesi të manipuluar.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm, që organet e ngarkuara nga ligji duhet të përmbushin detyrat e tyre, në mënyrë të pandikuar, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit. Ndërkohë, organet e drejtësisë penale, duhet t`i paraprijnë këtij procesi me rezultate konkrete, pasi në të kundërt, çfarë vlere do të kishte nëse ata lejojnë që në ndenjëset e Kuvendit të ulen deputetë të zgjedhur, me vota të blera apo përmes një procesi të manipuluar! Drejtësia duhet të funksionojë tani, për t’i shërbyer rivendosjes së besimit të shqiptarëve tek proceset zgjedhore! Kjo është e rëndësishme për të gjithë ne! Kjo është e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit! Çdokush, që mbështet teorinë e faktit të kryer, duke shpërqëndruar vëmendjen nga proceset ankimore dhe hetimore penale në proces, është bashkëfajtor në cenimin e klimës së besimit ndërmjet palëve, në cenimin e standarteve të këtij procesi zgjedhor, para, gjatë dhe aktualisht!” – mbyll reagimin Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *