Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht për sekuestrimin e parave në Portin e Durrësit të gjendura në një fugon.
Sipas policisë në fugon ishin 123.460 paund dhe 280 stërlina të padeklaruara në doganë.
Për këtë ngjarje u arrestua shoferi i fugonit 21-vjeçari me iniciale O.S banues në Hamallë.
Njoftimi i plotë:
Bashkëpunimi i shkëlqyer mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve doganore çoi në sekuestrimin e një shume të madhe parash të padeklaruara në kufi.
Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat doganore parandalojnë dhe godasin në hyrje të Portit të Durrësit, një rast të mosdeklarimit të një shume të madhe parash në paund.
Sekuestorn 123.460 paund dhe 280 stërlina.
Vihet në pranga drejtuesi i furgonit ku u gjetën të fshehura pakot me paund e stërlina.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe seksionin për hetimin e krimit ekonomik e financiar në DVP Durrës, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu edhe në hyrje, në portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë dhe atyre doganore, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një furgon mallrash që vinte nga Anglia, me drejtues shtetasin O. S., 21 vjeç, banues në Hamallë.
Gjatë kontrollit, në pjesën e prapakolpit të furgonit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 pako me para.
Nga këqyrjet e kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjhyqsor Durrës, rezultoi se në pakot e sekuestruara në cilësinë e provës materiale kishte 123.460 paund dhe 280 stërlina.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. S., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Ndërkohë, nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të implikuar në këtë vepër penale.