Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Nju Jorkut nis hetime penale ndaj kompanisë së Trump


Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Nju Jorkut tha të martën se ka hapur hetime penale ndaj kompanisë së ish-Presidentit Donald Trump, duke shtuar rreziqet ligjore për të dhe familjen e tij.

Prokurorja e Përgjithshme e këtij shteti, Letitia James ka qënë duke hetuar nëse Organizata Trump falsifikoi të dhënat mbi vlerat e pronave për të siguruar hua me përqidnje të ulta dhe për të marrë përfitime ekonomike dhe tatimore.

Njoftimi i fundit shënon një tjetër ballafaqim ligjor për zotin Trump katër muaj pas largimit nga detyra, duke e çuar në tre numrin e hetimeve penale që ngrihen ndaj ish-presidentit republikan.

“Kemi informuar Organizatën Trump se hetimi ynë ndaj organizatës nuk është thjeshtë i natyrës civile”, tha përmes një deklarate Fabien Levy, zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. “Aktualisht jemi duke hetuar në mënyrë aktive Organizatën Trump në një kapacitet kriminal, në bashkëpunim me prokurorinë e Manhatanit”, tha ai.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte Organizatën Trump, biznesi në pronësi të familjes së ish-Presidentit Trump. Zoti Trump ka thënë se hetimi i mbikëqyrur nga Prokurorja e Përgjithshme Letitia James është i motivuar politikisht.

Prokuroja ka zhvilluar hetime nëse Organizata Trump i ka fryrë vlerat e disa prej pronave për të siguruar hua me norma më të vogla interesi dhe ka ulur vlerat e tyre për të përfituar zbritje të tasksës së pronës.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance, ka hetuar prej më shumë se dy vitesh veprimtarinë e biznesit të zotit Trump para se të bëhej president.

Në dokumentet e depozituara në gjykatë, zyra e zotit Vance thotë se po heton “veprimtarinë e gjerë dhe të zgjatur që mund të jetë kriminale” në Organizatën Trump, përfshirë mashtrimet me taksa dhe siguracione si dhe fallsifikimin e dokumetave të bisnesit.

Në shkurt, prokurorët në Qarkun Fulton të Xhorxhias, hapën një hetim penal lidhur me përpjekjet e zotit Trump për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të atij shteti, pasi ai u regjistrua në një telefonatë me 2 janar, duke i bërë presion sekretarit të shtetit të Xhorxhias që të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve bazuar në pretendime të pabaza për manipulime.

Hetimi i zotit Vance filloi pasi ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen pagoi dy gra për t’u mbyllur gojën para zgjedhjeve të vitit 2016 në lidhje me prentedimet e tyre se zoti Trump kishte patur marrëdhënie seksuale jashtëmartesore me to.

Prokurorja James tha se ajo hapi hetime pasi zoti Cohen dëshmoi para Kongresit se dekleratat financiare të zotit Trump ishin manipuluar për të kursyer para në huamarrje ose për të ulur taksat.

Cohen, i cili dikur pati thënë se do t’i dilte plumbit para për Trumpin, u deklarua fajtor në vitin 2018 për shkelje me fondet e fushatës dhe krime të tjera dhe aktualisht po vuan dënimin tre vjeçar, i izoluar në shtëpinë e tij.

Reagimi i Trumpit

Ish-Presidenti Donald Trump sulmoi të mërkurën Prokuroren e Përgjithshme të shtetit të Nju Jorkut për fillimin e një hetimi penal ndaj biznesit të tij familjar, duke thënë se ai “po sulmohej dhe abuzohej padrejtësisht”.

“Nuk ka asgjë më të korruptuar sesa një hetim që është në kërkim të dëshpëruar të një krimi,” tha zoti Trump në një deklaratë, duke shtuar se “ne do të mposhtim” çdo përpjekje për ndjekje penale.

Zyra e Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, e cila po heton nëse Organizata Trump me qendër në Nju Jork ka raportuar në mënyrë të shtrembëruar vlerat pronësore për të siguruar hua dhe për të nxjerrë përfitime ekonomike dhe tatimore, tha të martën se hetimi i saj nuk është më thjesht për një çështje civile.

“Tani ne jemi duke e hetuar në mënyrë aktive Organizatën Trump në një nivel penal, së bashku me prokurorin e Qarkut të Manhatanit”, tha një zëdhënës i prokurorit.

Zoti Trump e sulmoi hetimin si të motivuar politikisht.

“Prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut bëri fushatë të hapur për ndjekjen penale të Donald Trump-it edhe para se ajo të dinte diçka për mua,” tha ish-presidenti republikan.

Prej më shumë se dy vjetësh, Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance po heton rreth marrëdhënieve të biznesit të zotit Trump para se ai të bëhej president.

Zyra e tij ka thënë në regjistrat gjyqësorë se po hetonte “sjelljet e mundshme kriminale të gjera dhe të zgjatura në kohë” në Organizatën Trump, duke përfshirë mashtrimin me taksat dhe me sigurimet si dhe falsifikimin e regjistrave të biznesit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *