Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ndodhej sot në një vizitë në Durrës nga ku ka folur për akuzat e opozitës për krime zgjedhore.
Sipas tij përmes turit të vizitave të tij nëpër qytete të ndryshme, kërkon të mësojë nga qytetarët se çfarë funksionoi dhe çfarë jo në votime.
“Arsyet e turit janë dëgjimi i zërit të komuniteteve, zëri i të cilëve nuk është dëgjuar. Dua të dëgjoj problematikat edhe për zgjedhjet, çfarë funksionoi e çfarë jo, për t’i bërë zgjedhjet lokale më të mira. Është vlerësim i mirë pjesëmarrja e të rinjve që votuan për herë të parë. Kjo është tepër pozitive dhe të rinjtë kanë mundësi t’ju dëgjohet zëri. Ne kemi projekte të vazhdueshme me të rinjtë.”- ka deklaruar ambasadori Soreca, citon BW.
Soreca u bëri thirrje aministratës zgjedhore si dhe institucioneve të drejtësisë, që të hetojnë parregullsitë e ndodhura më 25 Prill.
“Ne kemi marrë pjesë në ditën e zgjedhjeve dhe në procesin e numërimit. Objektivi ishte të monitoronim procedurën dhe zbatimin e Kodit Zgjedhor. OSBE/ODIHR folën e thanë se zgjedhjet ishin të rregullta e pa probleme. Ajo që kemi parë është se në qendrat e votimit ka pasur përmirësime në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Është shumë e rëndësishme të ndiqen të gjitha parregullsitë, të hetohen e shikohen. Për ne është e rëndësishme që nga administrata zgjedhore dhe institucionet gjyqësore të shikohen parregullsitë. Edhe SPAK ka mandat më të zgjeruar për të hetuar krimet zgjedhore. Ne po i ndjekim çështjet nga afër. Ne me qeverinë qendrore dhe vendore do jemi zëri juaj.”-deklaroi Soreca.