Analisti dhe gazetari Baton Haxhiu ka komentuar shpalljen non-grata nga SHBA-ja të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Haxhiu tha se bashkëshortja dhe fëmijët e Berishës nuk do të duhej të ishin shpallur persona non-grata, për arsye se nuk kanë qenë pjesë e jetës publike.
“Jam kundër këtij lloji linçimi, e sidomos për anëtarët e familjes që nuk kanë bërë jetë publike, për Argitën, Shkëlzenin, Lirien. Doktori i ka mëkatet e veta në qeverisje apo jo, ka konstatuar Sekretari i Shtetit.
Por linçimi i anëtarëve të familjes është gjëja më e keqe që i ka ndodhur këtij veprimi. Ajo që unë mund të them që shpreh keqardhje pse Kryeministri i vendit tim ose Presidenti i vendit tim është akuzuar në mënyrë të tillë. Dhe është një gjë e vështirë.
Por ajo që është përjetuese për Doktorin këtë herë është që përjetimin e linçimit që e ka marrë duke mos dhënë argumente Departamenti i Shtetit është vetëm pasojë e asaj që Doktori ka vendosur si kriter të jetës së tij politike dhe publike për të gjithë të tjerët që i ka akuzuar duke mos dhënë asnjëherë argument.”- deklaroi Baton Hahiu.
Në reagimin e tij për vendimin e DASH-it, ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar akuzat për korrupsion duke thënë se nuk ka përfituar asnjëherë nga fondet publike, madje asnjë nga familjarët e tij.
Berisha përmendi se është kërcënuar nga miliarderi George Soros pasi denoncoi ndarjen e territoreve të Kosovës.