Në seancën e sotme plenare në Kuvend, deputeti Kujtim Gjuzi ka kërkuar që të thërritet në Interpelancë ish-kryeministri Sali Berisha, pas shpalljes së tij non-grata nga SHBA-ja.
“Do kisha një propozim, të thirret në seancë plenare presidenti dy herë i Shqipërisë, Sali Berisha, dy herë kryeministër, sepse dje pas deklaratës së sekretarit amerikane të shtetit ka kthyer një përgjigje ku aludon ose ka akuza për tjetërsim të kufijve të Kosovës. Në këtë koncept unë jam i shqetësuar për të marrë një informacion më të gjerë, prandaj ta përfshin në një votim sot. Berisha si një njeri që ka dijeni për atë që ka ndodhur dhe akuzën që ka bërë për Soros për fondacionin e tij në Beograd.”– tha Gjuzi.
Mirëpo kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ia bëri atij të qartë se nuk ka një rregullore që të thirret në interpelancë një ish-kryeministër, aq më tepër një ish-President: “Nuk ka rregull për të thirrur në interpelance ish-kryeministër, aq më pak ish-president. Kështu që nëse ke interes, interesohu në rrugë të tjera por jo në rrugë parlamentare.”