Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, Ramush Haradinaj është treguar i ashpër me kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin.
Kryetari i AAK-së e ka pyetur kryeministrin Kurti, nëse është rekrutuar nga shërbimet secrete serbe, gjatë kohës që ai kishte qëndruar në burg.
“Kam dy pyetje për kryeministrin, e para është a je i rekrutuar prej shërbimeve serbe gjatë kohës sa je mbajtur në burg? Pra a mban Serbia diçka mbi ty, me të cilën të mban peng sot e kësaj dite. A është më në rrezik Kosova prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit tënd në burg? Apo nga çlirimtaret të cilët janë detyruar me mbajt pushkën në dorë, me luftuar për lirinë e vendit. Duhesh të deklarohesh një herë, sepse qarkullojnë gjatë këto. Mbahesh peng i shërbimeve serbe.”- është shprehur Haradinaj.
Në këto momente, kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka ndërhyrë duke i kërkuar Haradinajn që të ketë kujdes me fjalorin parlamentar: “Zotëri Haradinaj kujdes fjalorin parlamentar”.