Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka pranuar ankimimin e LSI-së dhe ka vendosur që të rinumërohen 114 kutitë e ankimuara të Beratit për të cilat ka pretendime se ka pasur shkelje në procesin zgjedhor.
Në fakt Lëvizja Socialiste për Integrim kërkonte hapjen e kutive për të gjithë qarkun e Beratit, mirëpo Partia Socialiste pranoi vetëm hapjen e kutive të ankimuara.
“Ne pritëm që për 10 ditë ky subjek të paraqiste provat. Hapja dhe rinumërimi ka qenë betejë e PS. Unë prisja që pala akuzuese të sillte të paktën një procesverbal që do kishte një ankesë nga të paktën një numërues në Berat. Kontestimi vjen pas daljes së rezultatit. Për ne si PS nuk është i rëndësishëm mandati, por procesi. Jemi njohur me tabelat e rezultateve dhe kjo e bën që ky proces i numërimit nuk ka pasur kontestime. Për të hequr çdo dyshim mbi procesin, ne biem dakord që të hapen kutitë e kërkuara në kërkesën ankimore të ankimuesit, pavarësisht se jemi të mendimit që mandati nuk do ndryshojë. Nëse ndryshon rezultati të shikojmë kutitë e tjera. Por nuk mund të kërkojmë të gjithë qarkun, kur vetë kërkesa e ankimuesit është konkrete për qendra të caktuara.”- tha përfaqësuesi i PS-së Eridian Salianji në mbledhjen e sotme.
LSI pretendon se ka fituar një mandat në qarkun e Beratit dhe për këtë kërkoi hapjen e të gjitha kutive, pasi kishte ankimuar për probleme në procesin zgjedhor të një pjese të tyre.