Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, ka deklaruar sot në studion e “Report TV” se kryetari i PD-së Lulzim Basha ka humbur respektin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Këtë mendim ai e shpjegoi me deklaratat që ish-kryeministri Berisha bëri mbrëmjen e kaluar në një studio televizive.
“Zoti Berisha mbrëmë në studion e ‘Opinionit’ ishte shumë i qartë. Bëri dhe një shpërfillje të madhe për çadrën e ngritur nga zoti Basha sepse me mbylljen e asaj çadre është bërë një marrëveshje ku askush nuk di asgjë se çfarë kanë folur kryetari i opozitës dhe kreu i maxhorancës për orë të tëra kokë më kokë me njëri-tjetrin, e cila prodhoi një qeveri teknike, dhe ministrat e PD-së ndenjën deri në shtator në qeveri dhe mezi ikën nga qeveria, por unë mendoj që zoti Basha e ka humbur simpatinë e Sali Berishës brenda partisë, por ka fituar simpatinë e Gaz Bardhit mesa duket.
Sepse se di çdo të thotë për një demokrat, por çfarë do te thotë kjo për Lulzim Bashën. Duhet ta pyesim Bashën për këtë. Sali Berisha është Sali Berisha, Gaz Bardhi është Gaz Bardhi. Kush do ta kuptojë atë që ka shprehur Berisha mbrëmë ta kuptojë, kush nuk do le të bëjë sikur s’e kupton.”- deklaroi Hoxha.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha foli për garën për kryetarin PD-së, të cilën e konsideroi të pabarabartë, për shkak se data kur do të mbahen zgjedhjet është përcaktuar nga kryetari aktual, Lulzim Basha, po ashtu edhe rregullat e garës dhe anëtarët e komisionit.
“Grupi për PD-në, qëllimi kryesor ka procesin brenda PD-së, do propozojmë edhe emra për të qenë pjesë e garës. Besoj se do shkojmë drejt dakordësisë për Edith Harxhin dhe Ibsen Elezi, por mund të jenë dhe kandidatë të tjerë për të qenë pjesë e garës. Nesër është afati i fundit. Çdo njeri ka të drejtë të ketë ambicie në politikë dhe nuk ndalojmë askënd të jetë pjesë e garës dhe janë demokratë që do vendosin kujt do t’ja japin votën, por ne po hymë me një proces të paragjykuar sepse datën e vendoi Basha, komisionin Basha, ne e dimë që nuk po hymë në një garë të barabartë. Ndërkohë që Ramës i kërkon zgjedhje të drejta, brenda shtëpisë së vet nuk e bën.”- tha Hoxha.
Mes të tjerash, caktimin e datës 13 qershor për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, Hoxha e cilësoi të nxituar.