Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka qenë sot në bazën ushtarake të Pashalimanit, për të ndjekur stërvitjen e trupave në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 2021”.
Në një dalje për mediet, ajo deklaroi se kur aleatët e NATO-s bashkëpunojnë, ata janë dominues. Zonja Kim u shpreh se si ambasadore e SHBA-ve do donte të shikonte më shumë zhvillim ekonomik për vendin.
“Stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria vendndodhja kryesore. Me mijëra trupa nga SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s.
Këtë javë kemi vizituar Bizën për të parë operacionet e uljes ajrore, Kuçovën për të parë operacionet ajrore dhe të mbrojtjes ajrore dhe sot këtu në Pashaliman për të parë operacionet detare. Dhe kjo është për të siguruar se kur aleatët e NATO-s bashkëpunojnë ata janë dominues.
Si ambasadore e SHBA do të doja të shikoja më shumë mundësi zhvillim ekonomik për vendin sepse Shqipëria është një vend i shkëlqyer por kjo është diçka që duhet të punojmë së bashku. Ju keni rolin tuaj dhe unë rolin tim. Shumë prej kësaj lidhet me demokracinë dhe shtetin ligjor.
Keni parë zhvillimet domethënëse, këto janë zhvillimet që duhet të vazhdojnë.”- deklaroi ambasadorja e SHBA.
Komenti i Kim për Berishën “non-grata”
Në këtë dalje për mediet, zonja Kim u pyet nga gazetarët edhe për akuzat e ngritura nga DASH-i dhe shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Por ajo refuzoi të zgjatej në komente duke thënë shkurt:”nuk kam asgjë për të shtuar përveçse asaj që ka thënë sekretari i shtetit”.
Pyetjes nëse është Berisha i pari nga peshqit e mëdhenj që kapet nga Reforma në Drejtësi, ajo iu përgjigj: “Mesazhi është ky Shqipëria po ndryshon, Shqipëria është anëtare NATO-s Shqipëria do të jetë në BE, është mike dhe aleate e SHBA-ve. Shteti ligjor duhet të prevalojë. Duhet të jetë një vend i pastër dhe që të vijë kjo, askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë”.