Vendosni fjalën kyçe....

Braimllari: LSI-së i është grabitur mandati në tavolinë, do e vijojmë betejën në Kolegjin Zgjedhor


LSI ka deklaruar sot se asaj i është grabitur mandati në tavolinë. Në një deklaratë nga selia e partisë,

Sekretari i Përgjithshëm i saj, Braimllari, tha se gjithë procesi i trajtimit të ankesave nga KAS vërtetoi se LSI-së i është grabitur mandati.

“I gjithë procesi i trajtimit të ankesave të LSI nga ana e KAS vërtetoi se mandati i LSI është grabitur në tavolinë. Vendimmarrja e KAS, për të quajtur të vlefshme 24 qendra votimi të mbushura nga Rilindja të faktuara dhe të vërtetuara nga procesverbalet dhe nga informacioni zyrtar, i firmosur nga numëruesit dhe komisionerët e PS vërtetoi të gjitha pretendimet tona. Në 24 qendra votimi në qarkun e Beratit të vertetuara ka 115 shkelje të rënda të cilat vërtetojnë qartazi ndërhyrjen në proces dhe brenda në kuti. Është i vërtetuar, fakti kriminal që 19 shtetas votojnë 54 herë ndërkohë që ka me qindra informacione të tjera për votime të së njëjtës natyrë në të gjitha qendrat e votimit në qarkun e Beratit.“ – tha Braimllari.

Ai shtoi se LSI nuk do ndalej po do e vijonte betejën e saj në Kolegjin Zgjedhor ku do paraqesë fakte konkrete për pavlefshmërinë e procesit. Braimllari theksoi se LSI është e vendosur t’i shkojë deri në fund zbardhjes të së vërtetës.

“Është vërtetuar që ka më shumë fletë votimi në kuti sesa votues, në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë. Është vërtetuar që janë dorëzuar kuti me fletë votimi më shumë sesa janë marrë në dorëzim. Pra, edhe një herë kutitë janë mbushur nga Rilindja duke na kthyer pas në kohët më të errëta të zgjedhjeve në Shqipëri.Ne nuk do të ndalemi, do ta vazhdojmë betejën tonë në Kolegjin Zgjedhor ku do të paraqesim fakte konkrete për pavlefshmëri të procesit. LSI është e vendosur për t’i shkuar deri në fund zbardhjes të së vërtetës dhe për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve.” – mbylli deklaratën ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *