Kryeprokurori Olsian Çela, i ka dërguar sot një kërkesë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), që të nisë hetimet për dy prokurore të Dibrës dhe drejtuesin e Prokurorisë në këtë rreth.
Kjo për shkak të zvarritjeve në hetimet për dosjen e bujshme 184 për krimet zgjedhore.
Çela akuzon dy prokuroret e Dibrës Belinda Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj, se kanë zvarritur proceset e hetimit. Ndërsa drejtuesi i Prokurorisë së Dibrës, Rifat Kojku kërkohet të hetohet në lidhje me masat e marra nga ana e tij, për të parandaluar situatën e krijuar në këtë organ hetimor.
“Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela bazuar në ligjin nr. 97/2016 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, në datën 21.05.2021 i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës për prokuroren Belina Zeneli dhe prokuroren Xhoana Mehmetaj në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër pasi janë konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë zvarritje të rëndë të veprimtarisë procedurale, si dhe shkelje të dispozitave ligjore urdhëruese të Kodit të Procedurës Penale. Pjesë e këtij inspektimi kërkohet të jetë dhe veprimtaria drejtuese e drejtuesit të prokurorisë Rifat Kojku, për mënyrën se si janë ushtruar kompetencat e dhëna nga ligji Nr 97/2016, në lidhje me masat e marra nga ana e tij, për të parandaluar situatën e krijuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.
Prokurori i Përgjithshëm mbështet të gjitha nismat që kontribuojnë në mirëfunksionimin e shërbimit të prokurorisë në të gjitha nivelet, duke synuar rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve prokurorë gjatë ushtrimit të detyrës dhe zhdukjen e kulturës së pandëshkueshmërisë brenda institucioneve të drejtësisë.”– thuhet në kërkesën që Çela i drejton ILD-së.
Kujtojmë se dosja e Dibrës ka kaluar të paktën pesë herë nga Dibra në Tiranë tek Krimet e Rënda, në SPAK dhe në fund përsëri në Dibër.
Prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet për dosjen 184 dhe mori të pandehur 4 persona, pas 4 vitesh nga zgjedhjet lokale.