Pas Fatbardh Kadillit, një tjetër demokrate ka shprehur interes të garojë për postin e kryetarit të PD-së.
Edith Harxhi, nga “Grupimi për PD”, është zyrtarisht rivalja e dytë e Lulzim Bashës dhe kandidatja e tretë për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ajo sapo ka dorëzuar kandidaturën e saj në selinë blu.
“Duhet të jetë një garë e hapur transparente dhe e barabartë, deri tani nuk është. Shpresojmë shumë që PD të rikthehet në ato vlera që ka pasur.
Është një moment mjaft i vështirë për Shqipërinë. Ajo që ofrojmë si grup, që ofroj unë si kandidate është një reformim i thellë i PD-së mbi idealet e 1990-1991. PD ka nevojë për një fillim të ri.”- deklaroi Harxhi.
Zonja Harxhi është përfaqësuesja kryesore e grupimit ku bëjnë pjesë edhe ish-presidenti Bujar Nishani apo Ibsen Elezi. Ky i fundit përflitet gjithashtu mund të kandidojë.