Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka pritur sot në një takim 39 mjekë të rinj, të cilët do të punësohen në spitalet rajonale.
Sikurse bëri me dije ministrja, ata do të nisin punë nga dita e hënë sipas kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë, për një periudhë 3-vjeçare.
“Për ne e rëndësishme është që ju të jeni sa më afër qytetarëve, ndërkohë që ne jemi të gjithë bashkë në një sistem që i përgjigjet nevojave, që i përgjigjiet kohës dhe që duhet t’i përgjigjiet dhe të ardhmes. Prandaj është shumë e rëndësishme që ashtu sikurse jeni sot, 39 specialistë të rinj të cilët shkojnë për të ofruar shërbim në spitalet tona rajonale, ashtu edhe nesër, secili prej jush mund të prezantojë atë të re që do të sjellë në spital, përpos punës së tij të përditshme.”– tha ministrja Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, ajo shtoi se një nga spitalet ku do të emërohen mjekët e rinj do të jetë edhe Spitali i ri Memorial i Fierit, i cili pritet të hapet së shpejti: “Ju si mjekë specialistë do të atashoheni pranë spitaleve rajonale dhe duke qenë se ne po bëjmë funksional dhe brenda këtij muaji bëhet funksional Spitali Memorial në Fier, një pjesë e juaja do të atashohet menjëherë në këtë spital, ku janë bërë të gjitha procedurat dhe tashmë jeni gati për të filluar punën në një strukturë bashkëkohore, moderne dhe që do të ofrojë për herë të parë një model të ri, i cili do të menaxhohet me një staf të përbashkët shqiptaro-turk.”
Manastirliu u tha 29 mjekëve se mbështetja ndaj tyre nuk do të mungojë, përmes incentivave te ndryshme financiare, përpos rritjes së pagave 40%.