Vendosni fjalën kyçe....

Pretendoi se u dhunua nga policia, del videoja kur shtetasi maroken rrihet nga kamarieri në Durrës


Janë publikuar pamjet e dhunimit të shtetasit maroken Elmedi Nouak në Durrës. Në pamjet e publikuara nga Report TV, duket një person që pretendohet se është shtetasi maroken që dhunohet nga dy kamarierë te një lokali në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur në datën 19 maj ndërsa ditën e sotme Nouak tha se ishte dhunuar nga policia.

Në deklaratën për media, marokeni tha se kishte qëndruar në birucë pesë ditë lakuriq dhe pa ngrënë.

Po kështu ai tha se policia i kishte marrë telefonin dhe e kërkonte mbrapsht për të folur me familjen.

“Kam qëndruar 5 ditë në birucë lakuriq dhe pa ngrenë. Më pas 3 persona, policë, më morëm me makinë dhe më kanë lënë në një zonë rreth 20 km larg. Mendoja se do më çonin në Rinas për të më ekstraduar, por mbaj mend që kur jam përmendur tek ajo zona ishte një fushë dhe isha lakuriq. Kam dalë në rrugë dhe kam bërë autostop. Më kanë sjellë në spital dhe kam qëndruar aty 3 ditë. Kam lënë spitalin, se dua telefonin tim. Kam që në Ramazan që pa folur me familjen, janë bërë merak për mua. Telefonin ma kanë marrë policët dhe unë e dua se do flas me prindërit e fëmijët. Më kanë lënë zbathur. Kam familje, dua telefonin. Policia ma mori. Isha në spital. Kam 3 muaj që qëndroj në Durrës, nuk kam dokumente. Kam ardhur këtu dhe iu jam lutur që të më japin telefonin. Kam ndenjur 7 ditë pa ngrenë, isha dhe në spital Më ka rrahur policia kështu. Dua që të shkoj në Itali, inshallah.” – ka deklaruar ai në një intervistë për ‘Balkanweb’.

Pas kësaj erdhi reagimi zyrtar i policisë që tha se shtetasi maroken nuk ishte dhunuar nga efektivët por iste ndaluar pas trazirave të shkaktuara n spitali e Durrësit ku ishte paraqitur për mjekim.

Sipas policisë, 29-vjeçari maroken është dhunuar nga një kamarier në një lokak në Durrës pasi kishte shqetësuar klientët në lokal dhe ishte paraqitur në gjendje të dehur.

Po kështu policia thekson se marokeni është ndaluar më pas në ‘Sheshin Pranvera’, pasi disa denoncimeve se në gjendje të dehur po konfliktohej me kalimtarë të rastit.

“Në lidhje me një ngjarje të publikuar në media se ndaj një shtetasi maroken është ushtruar dhunë nga ana e Efektiveve të Policisë Durrës, ju bëjmë me dije se: Salla Operative e DVP Durrës, më datë 19.05.2021, rreth orës 07:30 është njoftuar nga Shërbimi i Urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës për ti ofruar mbështetje pasi kishin problem me një shtetas të huaj. Menjëherë Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme ka marrë kontakt me personelin e urgjencës, të cilët janë shprehur se shtetasi i huaj kishte qëndruar gjatë natës në spital për ndihmë mjekësore dhe në mëngjes është larguar, por është  rikthyer përsëri duke shqetësuar personelin mjekësor dhe krijuar trazira në ambientet e urgjencës. Në kushtet e mësipërme është bërë shoqërimi i shtetasit në fjalë në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, me gjeneralitete të vetëdeklaruarara, me shtetësi marokene, M. N, 29 vjeç. Gjatë shoqërimit në komisariat te ky shtetas janë konstatuar shenja dhune dhe nga verifikimet e kryera,  rezultoi se ky shtetas është dhunuar nga shtetasi E. V.,  30 vjeç, banues në Durrës, i cili punon si kamarier në një lokal në lagjen nr 6, Durrës. Shtetasi E. V., është shoqëruar në ambientet e komisariatit për sqarime të mëtejshme ku ka deklaruar se shtetasi maroken kishte shkuar me sy të nxirë, në gjendje të dehur në  ambientet e lokalit ku ai punon duke shqetësuar  klientët. Pasi i ka kërkuar  të dalë nga ambientet e lokalit ai e ka kundërshtuar duke e goditur, dhe për  vetëmbrojtje e ka goditur edhe shtetasi E.V.,  duke i shkaktuar dëmtime. Shtetasi E.V  është  proceduar penalisht  nga ana  e Specialistëve për Hetimin  e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës   për veprën penale ‘‘Plagosja e lehtë me dashje“. Gjatë ditës nga qytetarë të ndryshëm është telefonuar  në Sallën Operative të DVP Durrës të cilët kanë njoftuar se një shtetas i huaj  në vendin e quajtur ” Sheshi Pranvera” është konfliktuar me kalimtarë  të rastit.

Menjëherë ka shkuar Patrulla e Policisë, të  cilët   kanë  konstatuar  të njëjtën shtetas maroken  në  gjendje të  dehur dhe gjatë  kontrollit të  tij fizik i gjetën dhe  sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Shtetasi maroken u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhim dhe shitje te lëndëve narkotikeve”.

Në vijim të veprimeve grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamje filmike. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës garanton çdo qytetar që në rastin e lartpërmendur ka respektuar me rigorozitet të gjitha procedurat ligjore.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *