Dhjetëra banorë të ish-Kënetës në Durrës kanë zhvilluar sot një protestë duke i kërkuar bashkisë sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza.
Banorët e rrugës ‘Gjergj Balshaj’ thanë se përveç faktit që kanalizimet e tyre nuk janë lidhura me kolektorët e qytetit, në kanalet pranë banesave të tyre derdhen ujërat e zeza duke e bërë të padurueshme qëndrimin në shtëpi sidomos gjatë muajve të verës.
Bëhet fjalë për rreth 300 familje që preken nga problemi në fjalë.
“Vijnë dy kolektorë kryesor. Nga Porto Romano dhe Konservimi. Derdhen këtu. I lutemi Bashkisë dhe qeverisë që ujërat e zeza ti çojnë në kolektorin kryesor. Nuk dalim dot në derë. Jemi më shumë se 300 familje. E kemi ngritur kaq herë si problem dhe nuk na kanë dhënë zgjidhje. Të marrin masa që mos të vdesë populli nga malarja e infeksionet e tjera. Ju po e shikoni vetë realitetin e këtij komuniteti. Të bëjnë kanalin. Kjo na intereson. 20 vjet këtu rrimë. I lutem qeverisë të vejë dorë se po na marrin shpirtin. Këtu nuk rrihet. Është skandal. Nuk kanë ku të shkojnë se nuk ka kolektor.” – thanë banorët, shkruan Shqiptarja.