Dhjetëra persona janë ngritur në protestë ditën e sotme në Mirditë, me thirrjet “ti nuk je vetëm” apo “përdhunimi është krim”, apo “Vajzat në rrezik gjithkund, shteti askund”.
Ata kanë dalë në mbështetje të vajzës 15-vjeçare nga Fshati Tarazh i Mirditës, e cila është abuzuar seksualisht nga pesë persona.
Mes protestuesve është edhe Dom Gjergj Meta, Ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit.
Ngjarja e rëndë bëri bashkë shumë persona, të cilët akuzojnë shtetin që nuk bën sa duhet për të mbrojtur gratë e vajzat. Vetëm në Lezhë janë regjistruar në pak kohë dy abuzime me të miturat.
E mitura nga Rrësheni ka deklaruar në polici se është abuzuar nga pesë persona, me katër prej të cilëve kishte lidhje gjaku.
Të dyshuarit janë arrestuar nga policia: Artan Kaçorri 31 vjeç, Albert Molla 27 vjeç, Ermal Tarazhi 30 vjeç, Nikë Lleshi 44 vjeç dhe 17-vjeçari me inicialet A.Xh. Ata u lanë dje në masën e sigurisë “arrest me burg”.