Vendosni fjalën kyçe....

Agron Shehaj shpall kandidaturën për kreun e PD-së: Besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi


Agron Shehaj ka shpallur kandidaturën për kreun e PD-së. Në një postim në “Facebook”, Shehaj shkruan se konkurimin nuk e sheh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia të jetë partia e anëtarëve: “një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur”.

Ai shprehet se beson që shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe “jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë” dhe se përparimi vjen “përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime”.

Agron Shehaj është një ndër kandidatët fitues të mandatit të deputetit në zgjedhjet e 25 Prillit, dhe një nga kandidatët më të votuar gjithashtu. Ai spikati gjatë fushatës, pasi ishte i vetmi kandidat që u pa të dilte në rrugë për të shpërndarë fletëpalosje dhe diskutuar me qytetarët e Tiranës.

DEKLARATA E SHEHAJT

Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!

Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.

Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.

Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.

Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.

Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *