Nga sot do të hapet kufiri i Kapshticës dhe deri në fund të muajit maj, vetëm për shqiptarët që mbajnë statusin e punëtorit sezonal.
Vendimi është marrë nga Greqia, e cila ka njoftuar palën shqiptare dhe për kushtet e kalimit të kufirit.
Sipas këtij vendimi, punonjësit sezonalë do të duhet që më parë t’i nënshtrohen një testi të shpejtë të Covid-19 në pikën kufitare dhe më pas nëse përgjigja do jetë negative, do lejohen të kalojnë.
Gjithashtu bëhet me dije se do të lejohen të kalojnë në një ditë vetëm 400 persona.
Për momentin, asnjë kategori tjetër nuk do të lejohet të hyjë drejt Greqisë.
Njoftimi nga Policia Kufitare Kapshticë:
Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare se duke filluar nga dita e sotme, deri në datën 31.05.2021, nga ora 08:00-16:00, do të lejohet hyrja e shtetasve shqiptarë në drejtim të Greqisë, të cilët mbajnë statusin e punëtorit sezonal.
Këta shtetas më parë, do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë COVID-19, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë.
Sqarojmë se kuota ditore e pranimit është 400 persona, të cilët gjithashtu duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit PLF në adresën http://www.travel.gov.gr dhe pasi të kenë marrë konfirmimin, mund të lejohen që të hyjnë në tokën greke.
Asnjë kategori tjetër nuk do të lejohet të hyjë drejt Greqisë (shërbim taxi, mjete të tonazhit të rëndë apo shtetas me leje qendrimi, shtetas grekë apo europianë të tjerë).
Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve.