Ibsen Elezi është kandidati i katërt zyrtar për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ai sapo ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën e tij në selinë blu.
Në një dalje për mediet, Elezi tha se ai nuk kishte parë asnjë akndidat tjetër me bindje të djathta dhe për këtë arsye kishte vendosur të kandidonte vetë.
“Kam thënë se nëse do të shoh një kandidat me pikëpamje të djathta që do shpallë një platformë do të jem ndjekësi i tij. Duke qenë se nuk pashë asnjë kandidat me pikëpamje të tilla konservatore vendosa të kandidoj vetë. Nuk ishte vetëm çështje personale por edhe diskutim grupi. Referuar normave të statutit. Është e drejta themelore e çdo anëtari të kandidojë dhe ky është parimi i transparencës, brenda partisë.
Kjo vlen për të gjithë strukturën e PD. Unë dua t’i kujtoj drejtuesve të strukturave që të kenë kujdes dhe të administrohet një proces zgjedhor ku vota të konsiderohet e paprekshme. Në kushtet kur sot jemi në një betejë me Edi Ramën si një nga personat që ka arritur të deformojë gjithë procesin zgjedhor, nuk besoj që këtë shembull duhet ta japë edhe PD.”- tha Elezi.
Kujtojmë se përballë kryetarit Lulzim Basha, kanë shpallur kandidaturën e tyre Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.
Nga ana tjetër, Elezi është kandidati i dytë pas Harxhit që del nga ”Grupi për PD”, që i kërkon Bashës dorëheqjen dhe shtyrjen e datës 13 qershor. Elezi theksoi se ”vetëm me dorëheqjen e Bashës mund të getë garë të barabartë. Kandidatët për kryetar duhet të kenë përfaqësues në komisionin zgjedhor.”