Një mjek ka humbur jetën pas një sulmi izraelit në Gaza. BBC shkruan se Izraeli shkatërroi pa asnjë paralajmërim, një ndërtesë katër katëshe në Rripin e Gazës, ku jetonte mjeku Ayman Abu al-Ouf.
Mjeku, i cili ishte shefi i mjekësisë së brendshme në spitalin kryesor të territorit palestinez, u vra së bashku me 12 anëtarë të familjes së tij.
Mes tyre nëna dhe babai i mjekut, gruaja e tij Reem, djali i tyre 17-vjeçar Tawfik dhe vajza 12-vjeçare Tala.
“Kjo është një humbje me të vërtetë e madhe jo vetëm për ne personalisht sepse e njihnim Ayman – kjo është gjithashtu një humbje për pacientët dhe studentët e tij.”- i tha BBC-së Ghaith al-Zaanin, një mik i ngushtë dhe ish-koleg i tij që jeton në Kanada.
Përveçse ishte përgjegjës i mjekësisë së brendshme në spitalin al-Shifa në Gaza, Dr Abu al-Ouf mbikëqyri dhe trajtimin e pandemisë së koronavirusit në këtë territor.
Sipas BBC-së, Dr Abu al-Ouf mbikëqyri trajtimin e një reparti të tërë njerëzish të sëmurë rëndë me Covid-19 në një vend ku ka pak specialistë në sëmundjet e frymëmarrjes.
Ai gjithashtu trajnoi studentët në dy shkolla mjekësore lokale.
“Për të marrë dikë të kualifikuar si Ayman, iu duhen të paktën 10 deri në 15 vjet trajnim.”- tha Dr Zaanin.
“Ai ia kushtoi jetën e tij ndihmës për njerëzit e tjerë dhe trajtimit të pacientëve, si dhe për të mësuar brezin tonë të ri të mjekëve. Unë do të thoja se ai ishte personi më zemërmirë dhe i dhembshur që kam parë ndonjëherë në jetën time.”- shtoi ai.
Doktori Abu al-Ouf ishte larguar nga spitali vetëm rreth një orë para sulmit që rrafshoi shtëpinë e tij në rrugën al-Wahda të qytetit të Gazës, e cila është e mbushur me ndërtesa apartamentesh dhe dyqane.
Ushtria izraelite tha se kishte “goditur një strukturë ushtarake nëntokësore” që i përkiste grupit militant të Hamasit, i cili kontrollon Gazën. “Themelet nëntokësore u shembën, duke bërë që banesa civile mbi ta të rrëzohej, duke shkaktuar viktima të padëshiruara.”- thuhet në njoftimin e ushtrisë izraelite.
Dr Abu al-Ouf qëndroi nën rrënoja për gati 12 orë, por sipas mjekëve kishte qenë i gjallë për të paktën pesë deri në gjashtë orë para se të ndërronte jetë. Trupi i babait të tij u gjet vetëm 48 orë pasi shtëpia e tyre u shemb.
“Askush nuk besoi se ai kishte vdekur derisa një mjek në spital na dërgoi një foto të trupit të tij.”- tha Dr Agha për BBC-në. “Vdekja e tij është një katastrofë.”- shtoi ajo. “Ai mori përsipër tre ose katër mjekë … dhe ai ishte aq punëtor saqë menduam se ishte i pathyeshëm”.
Dr Agha tha se sulmet izraelite kishin shkatërruar gjithashtu rrugët që të çonin në spitalin al-Shifa, duke e bërë edhe më të vështirë për ekipet e shpëtimit të arrinin atje në kohë për të shpëtuar njerëzit atë ditë.
Djali 15-vjeçar Abu al-Ouf Omar është i vetmi anëtar i familjes së tyre që i mbijetoi sulmit. Ai aktualisht është duke u trajtuar për dëmtimet e tij dhe nuk e di që prindërit, vëllai dhe motra e tij kanë vdekur.
Vëllai i Omarit, Tawfik ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ëndërronte të merrte një diplomë në kimi. Motra e tij, kishte qenë një nxënëse e shkëlqyer, e interesuar për klasat fetare dhe se i pëlqente të mësonte përmendësh Kuranin.